Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Fitoi populli dhe Republika


Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe bashkëpartiakët e tij së bashku me partnerët e koalicionit kanë festuar në sheshin e Prishtinës fitoren në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku iu ka drejtuar edhe simpatizantëve të mbledhur.

Kurti e ka quajtur fitoren e Vetëvendosjes historike, derisa ka thënë se ajo nuk ka emër të përveçëm: “Mirënjohje e pafund për këtë fitore historike, gëzuar të gjithëve. Ju faleminderit për gjithë mbvështetjen, ndihmën e solidaritetin, ju faleminderit për rolin që keni luajtur për kontributin që keni dhënë. Kjo fitore nuk ka emër të përveçëm. Kjo fitore është e secilës e secilit prej jush”, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka falënderuar të gjithë qytetarët  e Republikës që morën pjesë në zgjedhjet e sotme dhe sipas tij u bën pjesëmarrës të kësaj feste të madhe, jo vetëm të fitores së VV dhe partnerëve të saj por edhe kësaj feste të demokracisë në Republikën e Kosovës, shkruan RTK.

“Më datën 9 shkurt sivjet ka fituar LVV bashkë me partinë Guxo e partinë Altertnativa, ndërkaq kësaj radhe ka fituar populli dhe Republika. Ajo çfarë e bëri të mundshme fitoren është vizioni dhe programi ynë, punët e mbara e të mira të kryera në këtë gati pesë vjeçar. Gjithashtu zotimet tona të reja të cilat do t’i përmbuyshim që të gjitha një nga një, sepse duam t’iu shërbejmë juve me krejt çka dimë e mundemi. Vijmë prej jush dhe rikthehemi tek ju. Sepse ju jeni kuptimi i ekzistencës së pozitave e funksioneve tona. Pra, sonte të gjithë kremtojmë numrin i cili është fitimtar 116”, ka shtuar Kurti para simpatizantëve të tij.

Ai tutje tha se nuk lëshojnë pe jo për inat të dikujt pr sepse “të gjithë juve ju duam fortë“.

“Temperaturën e brendshme  e kam në këto moment afër 39 grandë, por po më duket që edhe përjashta është njësoj.  Faleminderit për pjesëmarrjen sonte dhe që na keni qëndruar përherë pranë. Me Lëvizjen Vetëvendosje, me partinë Guxo, me partinë Alternativa, me partinë Shqiptare Demokristiane, e keni një koalicion, një subjekt politik në të cilin mund të llogarisni çdo herë. Dhe mbi të gjitha ju faleminderit që sonte dhe jo vetëm sonte po na e bëni dimrin verë, e politikën pranverë“, ka nënvizuar Kurti.

Ai në fund ka thënë se të gjitha premtimet  do t’i përmbushin. “Na qëndroni pranë që t’ju qëndrojmë edhe më pranë dhe Kosova të ecë përpara si Republikë, si popull, si shoqëri në ekonomi e arsim, kulturë, në mbrojtje, siguri e qëndrueshmëri”, ka përfunduar Kurti.