Vendosni fjalën kyçe....

Kreu i opozitës në vendin aziatik kthehet pas 17 vitesh në ekzil


Tarique Rahman, kreu në detyrë i Partisë Nacionaliste të Bangladeshit (BNP), e cila ishte në opozitë gjatë sundimit të ish-kryeministres Sheikh Hasina, është kthyer në Daka pas gati 17 vitesh.

Rahman mbërriti në kryeqytetin e Bangladeshit të enjten në mëngjes (25 dhjetor 2025) dhe u mirëprit nga turma të mëdha, ndërkohë që masat e sigurisë u rritën në nivele të papara mes dhunës dhe paligjshmërisë së fundit në vend. Duke folur nga skena, 61-vjeçari Rahman bëri thirrje për bashkim mes komuniteteve të ndryshme dhe forcave politike, duke theksuar qëllimin e krijimit të një Bangladeshi të sigurt.

Të dy prindërit e tij kanë mbajtur dikur poste të larta shtetërore. Nëna e tij, ish-kryeministrja e Bangladeshit, Khaleda Zia, po trajtohet në një spital në Daka. Babai i Tarique-ut, Ziaur Rahman, presidenti i gjashtë i Bangladeshit, u vra nga anëtarë të ushtrisë së vendit më 30 maj 1981. Rahman u largua nga atdheu i tij në vitin 2008 për shkak të asaj që ai e quajti persekutim me motive politike dhe u vendos në Londër.

Rahman tani parashikohet të jetë konkurrenti kryesor në zgjedhjet e ardhshme. Një qeveri e përkohshme, e cila është në pushtet që nga rrëzimi i ish-kryeministres Hasina në gusht të vitit 2024, e kishte shtyrë shpalljen e zgjedhjeve për muaj të tërë dhe më në fund caktoi datën e votimeve më 12 shkurt, nën presionin e forcave të ndryshme politike. Qeveria e përkohshme udhëhiqet nga laureati i Nobelit, Muhammad Yunus. Partisë së Hasinës, Liga Aëami, i është ndaluar pjesëmarrja në zgjedhje, shkruan Rt.

Bangladeshi ka parë një valë dhune ditët e fundit pas vdekjes së Sharif Osman Hadi-t, një prej krerëve më të shquar të kryengritjes së vitit 2024, i cili u qëllua nga autorë të maskuar në Daka në fillim të këtij muaji. Pas vdekjes së tij, protestuesit dolën në rrugë në gjithë vendin, duke kërkuar arrestimin e sulmuesve, duke thirrur slogane anti-Indi dhe duke shkaktuar trazira. Protestuesit sulmuan dhe i vunë flakën zyrave të dy gazetave të njohura në Bangladesh, The Daily Star dhe Prothom Alo.

Protestat u përshkallëzuan më tej kur një punëtor industrie i besimit hindu u linçua nga një turmë dhe më pas u dogj në Mymensingh. Kjo tragjedi rriti tensionet diplomatike midis Nju Delhit dhe Dakës, me të dyja vendet që thirrën dërguarit e njëra-tjetrës. Të mërkurën, një kalimtar mbeti i vrarë në Daka kur një bombë artizanale u hodh nga një mbikalim dhe shpërtheu.