Vendosni fjalën kyçe....

Misteri/ Katër anëtarë të një familjeje në Lihtenshtejn gjenden të vdekur


Dy burra dhe dy gra nga Lihtenshtejni, të cilët u gjetën të vdekur këtë javë, i përkisnin të gjithë të njëjtës familje, njoftoi policia të enjten, teksa po heton këtë rast të pazakontë në principatën e vogël alpine.

Policia lokale tha se trupi i një burri 41-vjeçar u gjet të mërkurën në anën zvicerane të bregut të lumit Rin, pranë Vaduzit, kryeqytetit të Lihtenshtejnit, shkruan Reuters.

Ai doli se ishte një punonjës i lartë i bashkisë së Triesen-it, në jug të Vaduzit, i cili ishte pezulluar nga puna pak ditë më parë për shkak të parregullsive në llogari, tha policia.

Më vonë, policia gjeti trupat e një burri 73-vjeçar dhe dy grave, përkatësisht 68 dhe 45 vjeç, në një apartament në Vaduz. Policia konfirmoi se ata ishin prindërit dhe motra e punonjësit të bashkisë. Autopsitë janë në vazhdim për të përcaktuar shkakun e vdekjes së të katërtve.