Vendosni fjalën kyçe....

PZAP gjobit sërish Listën Serbe me 30 mijë euro për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës



Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka gjobitur sërish Listën Serbe me 30 mijë euro, pasi ka konstatuar shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore.

PZAP ka aprovuar ankesën e subjektit politik “Kosovski Savez”, duke vlerësuar se Lista Serbe ka vepruar në kundërshtim me rregullat e fushatës për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të planifikuara për 28 dhjetor 2025.

Sipas vendimit të marrë të mërkurën, Lista Serbe ka vendosur materiale promovuese në hapësira publike, konkretisht në rrugën “24 Nëntori” në Leposaviq, në shkelje të detyrimeve ligjore dhe rregullave të përcaktuara për kandidatët dhe subjektet politike.

Si pasojë, PZAP ka vendosur gjobën prej 30 mijë eurosh dhe ka urdhëruar largimin e menjëhershëm të të gjitha posterave dhe materialeve zgjedhore që lidhen me këtë shkelje.

Paneli ka theksuar se respektimi i Kodit të Mirësjelljes është thelbësor për garantimin e një procesi zgjedhor të drejtë dhe të ndershëm. Ankesa ishte dorëzuar të martën, ndërsa ky është ndëshkimi i dytë për Listën Serbe, e cila pak ditë më parë ishte gjobitur edhe me 20 mijë euro për një tjetër shkelje të rregullave zgjedhore.