Vendosni fjalën kyçe....

Xhemal Gjunkshi thirrje për pjesëmarrje në protestën kombëtare: Sot është thirrje për dinjitet dhe drejtësi



Teksa sot zhvillohet protesta kombëtare e opozitës, deputeti i Partisë Demokratike, Xhemal Gjunkshi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht.

Në një reagim në rrjetet sociale, Gjunkshi thekson se protesta e sotme shkon përtej politikës partiake dhe përbën një thirrje për dinjitet dhe drejtësi.

Sipas tij, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të sulmojë sistemin e drejtësisë jo për interesin publik, por për të mbrojtur, sipas tij, vjedhjet dhe aferat e njerëzve të afërt me pushtetin, mes të cilëve përmend edhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

“Sot, ora 18:00, qytetarët kanë fjalën. Sot nuk është thjesht një protestë opozitare. Sot është një thirrje për dinjitet dhe drejtësi,” shkruan Gjunkshi.

Ai shton se kur drejtësia afrohet, pushteti reagon me kërcënime dhe sulme ndaj institucioneve të pavarura, duke theksuar se çështja nuk ka më të bëjë me parti politike, por me të ardhmen e Shqipërisë.

“Kjo ka të bëjë me taksat tona, me spitalet që mungojnë, me rrugët që kushtojnë sa ari dhe me një qeveri që mendon se është mbi ligjin,” shprehet deputeti i PD-së.

Në fund të mesazhit, Gjunkshi u bën thirrje qytetarëve të marrin pjesë në protestë pa simbole partiake, por me “flamurin e qytetarit që nuk pranon të vidhet dhe të poshtërohet”.

“Heshtja sot është bashkëfajësi. Prania është qëndrim. Shihemi në protestë. Për drejtësinë. Për Shqipërinë,” përfundon ai.