Vendosni fjalën kyçe....

Trump pezullon lotarinë e kartës së gjelbër pas sulmeve në Brown University



Presidenti amerikan Donald Trump ka pezulluar të enjten programin e lotarisë së kartës së gjelbër, përmes të cilit autori i dyshuar i sulmeve të armatosura në Brown University dhe i vrasjes së një profesori të Massachusetts Institute of Technology kishte hyrë dhe qëndruar ligjërisht në Shtetet e Bashkuara, përcjell NPR.

Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, njoftoi vendimin përmes një postimi në platformën X, duke bërë të ditur se, me urdhër të presidentit Trump, ajo ka kërkuar nga Shërbimi i Shtetësisë dhe Imigracionit të SHBA që të pezullojë përkohësisht këtë program.

“Ky individ i tmerrshëm nuk duhet të ishte lejuar kurrë të hynte në vendin tonë,” u shpreh Noem, duke iu referuar të dyshuarit, shtetasit portugez Claudio Neves Valente.

Claudio Neves Valente, 48 vjeç, dyshohet se është autor i sulmit të armatosur në Brown University, ku u vranë dy studentë dhe u plagosën nëntë të tjerë, si edhe i vrasjes së një profesori të MIT, i cili u qëllua për vdekje në banesën e tij në Brookline. Ai u gjet i vdekur mbrëmjen e së enjtes në New Hampshire, me një plagë të vetëshkaktuar nga arma e zjarrit, sipas autoriteteve.

Sipas një deklarate nën betim të një detektivi të policisë së Providence, Neves Valente kishte studiuar në Brown University me vizë studentore duke filluar nga viti 2000. Në vitin 2017, atij iu dha një vizë emigrimi përmes programit të diversitetit dhe disa muaj më vonë fitoi statusin e rezidentit të përhershëm ligjor në SHBA. Ende nuk është e qartë se ku ka qëndruar ai gjatë periudhës mes largimit nga universiteti në vitin 2001 dhe marrjes së vizës në vitin 2017.

Programi i vizave të diversitetit, i njohur ndryshe si lotaria e kartës së gjelbër, ofron çdo vit deri në 50 mijë karta jeshile për shtetas nga vende me përfaqësim të ulët emigracioni në SHBA, kryesisht nga Afrika. Programi është krijuar nga Kongresi amerikan dhe pezullimi i tij pritet të përballet me sfida ligjore.

Për lotarinë e vitit 2025 kanë aplikuar rreth 20 milionë persona, ndërsa janë përzgjedhur mbi 131 mijë aplikantë, përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre. Fituesit i nënshtrohen më pas verifikimeve të thelluara dhe intervistave konsullore, njësoj si aplikantët e tjerë për kartë jeshile. Sipas të dhënave zyrtare, shtetasit portugezë kanë fituar vetëm 38 kuota në këtë program.

Vendimi i presidentit Trump për të pezulluar lotarinë vjen në një moment tensioni të lartë publik dhe politik, ndërsa hetimet për motivet dhe rrethanat e sulmeve të fundit vijojnë.