
Ka përfunduar në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar procesi për konfirmimin e masave të sigurisë ndaj personave të pandehur në kuadër të skandalit të tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit.
Gjykata la në fuqi masën e sigurisë “arrest shtëpie” për drejtoreshën e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, e cila akuzohet për shkelje të barazisë në tendera, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.
Në të njëjtën masë sigurie është lënë edhe zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, ndaj së cilës rëndojnë të njëjtat akuza.
Po ashtu, GJKKO konfirmoi pezullimin nga detyra të drejtorit për Hetimin e Krimit në Policinë e Tiranës, Erion Ismaili, i akuzuar nga SPAK për konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës të kryer në formën e grupit kriminal, pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe kryerje veprash penale në kuadër të organizatës kriminale.
Gjykata la në fuqi edhe masat e “arrestit në burg” për dy biznesmenët në kërkim, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët akuzohen për gjashtë vepra penale, përfshirë pastrim parash, shkelje të barazisë në tendera në bashkëpunim, heqje të paligjshme të lirisë, konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, për Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta është konfirmuar masa e ndalimit të daljes jashtë vendit. Ata akuzohen për pastrim parash dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal.
Sipas SPAK, të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal duke ushtruar presion dhe shantazh ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, me qëllim detyrimin e tyre për të hequr dorë nga ankimet dhe për t’u hapur rrugën kompanive të paracaktuara.
Prokuroria e Posaçme dyshon se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri kanë përdorur edhe pengmarrjen dhe kërcënimet për të detyruar Gerond Meçen të tërhiqej nga tenderat në AKSHI.
Hetimet tregojnë se, me ndihmën e drejtuesve të agjencisë, kriteret e tenderave janë përshtatur në mënyrë të tillë që të favorizonin kompanitë e Ermal Beqirit, ndërsa grupi dyshohet se ka pastruar miliona euro përmes këtyre procedurave.