Vendosni fjalën kyçe....

Ministri Andis Salla takohet me Papa Leone XIV gjatë Audiencës Jubilare në Vatikan



Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, mori pjesë në Audiencën Jubilare të përgjithshme në Sheshin e Shën Pjetrit, ku pati nderin të takonte Shenjtërinë e Tij, Papa Leone XIV.

Gjatë takimit u nënvizuan vlera universale që promovojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin ndërmjet popujve. Ministri Salla theksoi se mesazhi i Papës për dialog dhe bashkëpunim është veçanërisht domethënës në një periudhë sfidash globale.

“Fjalët e Shenjtërisë së Tij janë një thirrje e fortë për më shumë dritë, besim dhe dialog mes kombeve. Këto vlera kanë qenë dhe mbeten ura lidhëse mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë,” deklaroi ministri Salla.

Ministri shprehu gjithashtu mirënjohjen për vëmendjen që Selia e Shenjtë i kushton kulturës shqiptare dhe për mundësinë e përshëndetjes së Papës me grupin përfaqësues të komunitetit arbëresh, në kuadër të Ditës Kulturore të Arbëreshëve në Romë.

Pjesëmarrja në ceremoninë jubiliare thekson angazhimin e Shqipërisë për të forcuar marrëdhëniet me Selinë e Shenjtë dhe për të promovuar vlera që kontribuojnë në paqen dhe solidaritetin ndërkombëtar.