Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 11 persona të vrarë në një masakër në Afrikën e Jugut


 

Të paktën 11 persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur në një sulm të armatosur në një hostel në Afrikën e Jugut, njoftuan autoritetet të shtunën. Mes viktimave është edhe një fëmijë trevjeçar.

Incidenti ndodhi herët në mëngjes në Saulsville, në perëndim të Pretorias, kur disa persona të armatosur hynë në një objekt ku një grup njerëzish po konsumonin alkool.

Zëdhënësja e policisë, Brigadier Athlenda Mathe, deklaroi se “të paktën tre persona të panjohur hynë në këtë hostel ku një grup njerëzish po pinin dhe nisën të qëllonin në mënyrë të rastësishme” — tha ajo.

Sipas saj, motivi i sulmit mbetet i paqartë dhe deri tani nuk është kryer asnjë arrestim. Ngjarja është e fundit në serinë e masakrave me armë që kanë tronditur vendin vitet e fundit.

Autoritetet thanë se sulmuesit kanë hyrë në godinë rreth orës 04:30 dhe kanë hapur zjarr ndaj një grupi burrash që po konsumonin alkool. Mes të vrarëve janë një djalë 12-vjeçar dhe një vajzë 16-vjeçare.

“Mund të konfirmoj se gjithsej 25 persona janë qëlluar”, tha Mathe.

Ajo përshkroi hostelin si një “shebeen të paligjshme”, duke theksuar se “kemi një sfidë serioze me këto ambiente të palicencuara të alkoolit”, ku sipas saj ndodhin shumica e masakrave me armë.

“Edhe njerëz të pafajshëm përfundojnë të goditur nga plumbat në këto situata”, shtoi ajo për transmetuesin publik SABC, përcjell BBC.

Afrika e Jugut ka një nga normat më të larta të vrasjeve në botë, me 45 vrasje për 100 mijë banorë sipas të dhënave të OKB-së për periudhën 2023–2024.

Nga të dhënat zyrtare të policisë, rreth 63 persona janë vrarë çdo ditë mes prillit dhe shtatorit.