
Në fshatin Nebbiuno, i vendosur në kodrat e Piemontes, me pamje nga liqeni Maggiore, Anna Possi po përgatit kafen ekspres në Bar Centrale – ashtu siç ka bërë çdo ditë që nga viti 1958.
Megjithëse ka festuar 101-vjetorin e saj së fundmi, baristja më jetëgjatë e Italisë nuk tregon asnjë shenjë ngadalësimi. Nga pas banaku i kafenesë që hapi me bashkëshortin e saj mbi gjashtë dekada më parë, Possi përshëndet vendasit dhe turistët me të njëjtën saktësi dhe qëndrueshmëri që ka përcaktuar punën e saj të jetës.
Possi, e cila vitin e kaluar u nderua me titullin italian “Komandante e Republikës” për shërbimin e saj të përjetshëm, ka jetuar nëpër luftëra, bume ekonomike dhe ndryshime kulturore. Duke folur me Reuters , ajo reflekton mbi kulturën e ndryshuar të kafesë në Itali, si dhe recetën e saj sekrete për jetëgjatësi.

Çfarë ju tërhoqi në këtë punë në fillim?
Prindërit e mi kishin një restorant, bar dhe dyqan duhani, dhe shisnin gazeta. Unë fillova të punoj në moshën 18-vjeçare, menjëherë pas shkollës. Meqenëse dajat e mi kishin restorante në Xhenova, unë u transferova atje në vitin 1946, menjëherë pasi mbaroi Lufta e Dytë Botërore. Mësova gjithçka nga fillimi – shërbimin, pastrimin, menaxhimin. Ishte një ndryshim nga vitet e luftës: në Nebbiuno, ne ishim kapur mes dy zjarreve – partizanëve që ishin anëtarë të rezistencës italiane në male dhe gjermanëve në brigjet e liqenit. Ishim në rrezik të vazhdueshëm.
Më vonë, u martova me burrin tim, i cili gjithashtu drejtonte një bar dhe restorant. Bëra pak nga të gjitha për të kursyer. Kur nuk mundëm më, u kthyem në rajonin tonë të lindjes dhe hapëm këtë bar të vogël në Nebbiuno, vetëm ne të dy. Pa staf, pa zbukurime.
Fillimisht ishte vetëm një kafene sepse nuk kishim licensë për të shitur alkool. Por kur tezja e burrit tim, e cila e kishte rritur si djalë, vdiq në vitin 1960, ne e zgjeruam pak sepse ajo jetonte ngjitur.
Kur burri im ndërroi jetë, në vitin 1974, unë vazhdova vetë. Kanë kaluar 51 vjet që punoj vetëm, si e ve, në këtë bar. Por më pëlqen sepse më pëlqen të jem e rrethuar nga njerëzit.

Si ka ndryshuar kultura e kafesë që kur e hapët?
Në ditët e para, bari gumëzhinte. Kishim pesë fabrika letrash aty pranë: Klientët vinin në mëngjes, pinin kafenë e tyre, dhe punëtorët merrnin pak grappa (një pije alkoolike italiane). Kemi punuar shumë kur fabrikat e letrës funksiononin. Kishte ritëm; ishte një lloj tjetër pune.
Në vitet ’60, shtuam pistën e kërcimit. Dhe njerëzit filluan të vinin nga larg, nga qytetet e Arona dhe Omegna. Vinin nga kudo sepse bari im ishte ndryshe, ishte i ri. Fshati kishte edhe një restorant dhe një tratori, por ne ishim i vetmi vend me pamje nga liqeni dhe një pistë kërcimi të hapur.
Gjatë asaj kohe, kisha një klientelë të shkëlqyer, ishin të gjithë avokatë, mjekë, inxhinierë – njerëz që vinin dhe shpenzonin para.
Çfarë roli luajnë kafenetë si e juaja në kulturën italiane?
Ky bar është pak…si familje, e dini? Nuk ndihet si një bar; është një vend takimi. Njerëzit vijnë jo vetëm për të konsumuar, por për t’u lidhur.
Ata më kërkojnë të kaloj mesazhe te bashkia, te mjeku. Unë ndihmoj me dokumente, punë të vogla.
Unë jam gjithmonë e gatshme për të gjithë. Nëse dikush dëshiron të përdorë barin për të shfaqur veprat e tij artistike, për shembull, them po. Dhe e bëj falas. Janë klientë, më sjellin biznes. Pse të kërkoj para? Nëse klientët lënë diçka, është mirë, sepse çfarëdo që më lënë shkon gjithmonë për qëllime bamirësie.
Kam parë breza të rriten. Disa gjyshër vijnë me nipërit e mbesat e tyre dhe thonë, “Anna, a e mban mend ‘jukebox’-in?”
Sot, megjithatë, të rinjtë nuk vijnë më në bar. Vinin kur kishim pistën e kërcimit dhe muzikën. Sot, atyre u pëlqen të kalojnë kohën me smartphone-in; madje e marrin në shtrat kur shkojnë për të fjetur.

A ju ka ndihmuar puna si banakiere të ruani shëndetin e mirë?
Puna është ajo që të shpërqendron dhe në të njëjtën kohë të jep diçka – të bën të ndihesh e pavarur. Nuk duhet të varësh nga të tjerët.
Këtu në Piemont, të gjitha gratë punonin, edhe në kohët kur isha e re – disa në fusha, disa duke bërë punë shtëpie, dhe të tjera merrnin punë nga kompani të jashtme dhe punonin nga shtëpia. Ky nuk ishte lloji i qytetit ku gratë rrinin duarkryq.
U them mbesave të mia: punoni, kurseni, mos varni nga askush. Bota po bëhet më e vështirë.
A ka një klient apo histori të veçantë që ju ka mbetur në mendje?
Kur ekipi i futbollit AC Milan stërvitej aty pranë, kjo krijoi pak zhurmë sepse të gjitha vajzat donin autografe nga futbollistët. Dhe meqenëse këta lojtarë vinin në barin tim, kishte shumë lëvizje. Qëndronin në hotel, stërviteshin dhe pastaj, rreth orës gjashtë të pasdites, vinin këtu për një aperitiv. Dhe kjo i tërhiqte vajzat. Ato çmendeshin pas Gianni Rivera, Egidio Calloni, Fulvio Collovati. Ishte një kohë e gjallë. Dhe këto janë kujtime që më kanë mbetur.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani