Vendosni fjalën kyçe....

Protesta dhe masa sigurie në Afrikën e Jugut për samitin e G20



Johannesburgu po përgatitet për protesta të shumta gjatë fundjavës, ndërsa qyteti pret samitin e liderëve botërorë të G20-s. Qindra aktivistë nga grupime të ndryshme – anti-kapitalistë, ambientalistë, aktiviste për të drejtat e grave, si dhe grupe anti-emigracion – pritet të marshojnë për të ngritur zërin ndaj problemeve të brendshme të Afrikës së Jugut, përfshirë varfërinë, pabarazinë dhe dhunën ndaj grave, përcjell Euronews.

Autoritetet kanë mobilizuar një prani të madhe sigurie. 3,500 oficerë policie shtesë janë dislokuar dhe ushtria është vënë në gatishmëri, nën strukturën e përbashkët të sigurisë së vendit. Helikopterë, njësi K-9 dhe motoristë të policisë u prezantuan në një paradë të zhvilluar të mërkurën, si paralajmërim për çfarë pritet gjatë ditëve të samitit.

Lieutenant General Tebello Mosikili tha se policia ka përcaktuar zona të posaçme pranë qendrës së panairit – vendit ku mbahet samiti – ku protestuesit mund të mblidhen. Aeroportet ndërkombëtare kanë vendosur gjithashtu “kënde të protestës”, ku do të zhvendosen demonstruesit nëse shfaqin pakënaqësi gjatë mbërritjes së liderëve botërorë.

Një sindikatë afrikandere ka ndezur debate duke vendosur billboard-e në qytet me mbishkrimin: “Mirësevini në vendin më të rregulluar mbi baza racore në botë”. Një prej tyre është hequr nga autoritetet, duke shtyrë sindikatën Solidarity të kërcënojë me padi.

Tensionet janë rritur edhe pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka bojkotuar samitin, duke akuzuar qeverinë afrikanojugore se ushtron politika “anti-të bardhëve”. Pretendimet e tij janë hedhur poshtë gjerësisht, por bojkoti i SHBA-ve vlerësohet si goditje për samitin e parë të G20-s që zhvillohet në kontinentin afrikan.

Grupet e tjera synojnë të shfrytëzojnë vëmendjen ndërkombëtare për çështje të shumta.
Organizata Women for Change ka bërë thirrje për një grevë kombëtare të grave të premten, në shenjë proteste ndaj nivelit të lartë të femicidit në vend. “Derisa Afrika e Jugut të mos varrosë një grua çdo 2.5 orë, G20 nuk mund të flasë për rritje dhe progres,” është deklarata e tyre.

Një tjetër grup anti-emigracion do të protestojë për papunësinë e lartë – aktualisht rreth 31%, një nga më të lartat në botë. Ndërkohë, koalicione ambientaliste dhe kundër pabarazisë kanë organizuar një “samiti alternativ” duke akuzuar G20-n se përfaqëson “vetëm të pasurit”.

Përveç masave të sigurisë, autoritetet lokale kanë nisur një operacion të madh për pastrim dhe rikonstruksion infrastrukture. Presidenti Cyril Ramaphosa u bashkua personalisht me ekipet e punës në Soweto javën e kaluar, në përpjekje për të përmirësuar pamjen e qytetit.

Pavarësisht investimeve të mëdha, shumë banorë të Johannesburgut e shohin këtë si një veprim kozmetik dhe të përkohshëm, duke kritikuar gjendjen e përditshme të dritave të rrugëve, gropave në asfalt dhe ndërprerjeve të ujit e energjisë.

Samiti dyditor i G20-s hapet të shtunën, me pjesëmarrjen e liderëve dhe diplomatëve nga mbi 40 shtete dhe institucione globale, përfshirë Kombet e Bashkuara, Bankën Botërore, FMN-në dhe OBT-në.