Vendosni fjalën kyçe....

Agjentët federalë nisin aksion anti-emigracion në qytetin Charlotte


Agjentët federalë kanë zbarkuar në qytetin Charlotte të Karolinës së Veriut, si pjesë e fushatës së presidentit amerikan Donald Trump kundër emigracionit të paligjshëm, njoftoi Departamenti i Sigurisë Kombëtare (DHS).

Në një postim në X, komandanti i Shërbimit të Doganës dhe Patrullës Kufitare të SHBA-ve, Gregory Bovino, tha se të paktën 81 persona janë arrestuar në qytet të shtunën, përcjell BBC.

Zyrtarë lokalë, përfshirë kryetaren e bashkisë së Charlotte, Li Vyles, publikuan një deklaratë të përbashkët duke kritikuar operacionin, duke thënë se ai po shkakton “frikë dhe pasiguri të panevojshme” në komunitet.

Që prej rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, ai ka dislokuar trupa në Washington DC, Los Angeles dhe Çikago për të përmbushur premtimin e tij për “programin më të madh të deportimit” në historinë e SHBA-ve.

DHS njoftoi të shtunën se ka nisur “Operacioni Rrjeta e Charlotte”, duke theksuar se në shënjestër do të jenë “kriminelë të huaj ilegalë” në qytetin e drejtuar nga demokratët.

“Po dërgojmë forcat ligjzbatuese të DHS në Charlotte për të siguruar që amerikanët të jenë të sigurt dhe kërcënimet ndaj sigurisë publike të hiqen,” tha ndihmëssekretarja e DHS-së, Tricia McLaughlin.

Sipas dokumenteve të brendshme qeveritare të siguruara nga CBS News, në aksionin në veri të Charlotte mund të përfshihen mjete të blinduara dhe ekipe speciale të operacioneve.

Taktikat e vëna në përdorim deri tani në qytete të tjera — agjentë të maskuar, gaz lotsjellës dhe bastisje, kanë shtuar shqetësimet për mënyrën e zbatimit të këtij operacioni.

Sipas gazetës The Charlotte Observer, disa besimtarë që po punonin në oborrin e një kishe në lindje të Charlotte u larguan me vrap drejt pyllit kur agjentët mbërritën dhe ndaluan një burrë.

Menduam se kisha ishte vend i sigurt dhe nuk do të na ndodhte gjë,” tha një 15-vjeçar për gazetën.

Zyrtarët lokalë thanë se “një numër organizatash janë gati të ndihmojnë personat që kërkojnë udhëzim ligjor në çështjet e emigracionit.”

DHS tha se po e ndërmerr operacionin sepse Karolina e Veriut nuk ka respektuar pothuajse 1.400 urdhra ndalimi të ICE-it, duke i liruar personat e ndaluar përmes asaj që qeveria i përshkruan si “politika strehimi”.

Charlotte nuk është një qytet strehë — një praktikë që kufizon bashkëpunimin me autoritetet federale të emigracionit — por ka statusin “qytet mikpritës i certifikuar”, një titull zyrtar për bashkitë që angazhohen për përfshirjen e emigrantëve.

Presidenti Trump dhe sekretarja [Kristi] Noem do të ndërhyjnë për të mbrojtur amerikanët kur politikanët e qyteteve strehë nuk e bëjnë këtë,” tha DHS.

Charlotte është një qytet etnikisht i larmishëm, me rreth 17% të banorëve të lindur jashtë SHBA-ve, sipas të dhënave të Data US.

DHS nuk ka njoftuar sa do të zgjasin bastisjet. Aksioni në Çikago, i nisur në shtator, vazhdon ende.

Më herët gjatë javës, përfaqësuesja demokrate Almа Adams tha se ishte informuar për operacionin dhe se ishte “jashtëzakonisht e shqetësuar” për praninë e agjentëve të Patrullës Kufitare dhe ICE-it në Karolinën e Veriut.

Sipas CBS News, qyteti i radhës në shënjestër të presidentit Trump pritet të jetë New Orleans, ku mund të dislokohen deri në 200 agjentë.

Operacionet e mëparshme, përfshirë ato në Çikago dhe Los Angeles, janë kritikuar për shqetësimet lidhur me përdorimin e forcës së tepruar.