Vendosni fjalën kyçe....

Malaj: Rritja e pagave dhe pensioneve, prioritet për integrimin në BE, papunësia ra me 3%


Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka deklaruar se projektbuxheti për vitin 2026 reflekton angazhimin e qeverisë për mirëqenie sociale, përmirësim fiskal dhe integrim europian, duke e cilësuar si një “kontratë me qytetarët”.

Në fjalën e tij para Konferencës së Kryetarëve, Malaj theksoi se papunësia ka rënë me mbi 3% gjatë këtij viti dhe se punësimi është rritur ndjeshëm.

“Ky projektbuxhet reflekton prioritetet e qeverisë për vitin 2026, arritjet, rritjen e mirëqenies së qytetarëve tanë. Nuk është thjesht një dokument financiar ky projektbuxhet. Është kontrata e qeverisë me qytetarët, nëpërmjet të cilës mbahen nën kontroll financat publike dhe rritet më tej standardi i jetesës së qytetarëve shqiptarë.”

Ai njoftoi se nga janari 2026 do të ketë rritje mujore të pensioneve urbane dhe rurale, si dhe rritje progresive të pagave, duke nisur nga 50 mijë lekë në fillim të vitit dhe deri në 70 mijë lekë në fund të mandatit.

“Fokusi do jetë te mirëqenia sociale, infrastruktura, dixhitalizimi, kapitali njerëzor, rritja ekonomike, përmirësimi fiskal dhe integrimi në BE. Por edhe reforma e pensioneve. Indeksimi i pagave një herë në dy vjet për shumë kategori. Të ruajmë stabilitetin financiar.”

Sipas Malajt, rritja ekonomike për vitin aktual ka qenë 3.9%, deficiti ka rënë dhe të ardhurat parashikohen të arrijnë në 826 miliardë lekë.

Ai vlerësoi se ekonomia shqiptare po bëhet gjithnjë e më tërheqëse në raport me faktorët e jashtëm.