Vendosni fjalën kyçe....

SHBA godet katër anije të dyshuara për trafik droge në Paqësor, 14 të vrarë, një i mbijetuar


Forcat amerikane kanë vrarë 14 persona në sulme ajrore ndaj katër anijeve të dyshuara për trafik droge në Oqeanin Paqësor, njoftoi Sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth.

Sulmet, të urdhëruara nga Presidenti Donald Trump, përfaqësojnë një përshkallëzim të fushatës kundër trafikut ndërkombëtar të narkotikëve.

Një person ka mbijetuar dhe është shpëtuar nga ekipet meksikane të kërkim-shpëtimit. Pamjet e publikuara nga Departamenti i Mbrojtjes tregojnë anije që digjen pas goditjes me municione amerikane, përcjell BBC.

“Katër anijet e goditura po lëviznin në rrugë të njohura të trafikut të drogës dhe transportonin lëndë narkotike” – tha Hegseth në një deklaratë.

Këto sulme e çojnë në 57 numrin total të të vrarëve në operacione të ngjashme, duke shkaktuar tensione me qeveritë e Kolumbisë dhe Venezuelës.

Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare dhe anëtarë të Kongresit amerikan kanë shprehur shqetësime për ligjshmërinë e sulmeve, duke theksuar mungesën e procesit gjyqësor dhe të urdhrave ligjorë.

Trump ka deklaruar se ka autoritetin ligjor për të kryer sulme në ujërat ndërkombëtare, por ka sugjeruar se mund të kërkojë miratim nga Kongresi nëse fushata zgjerohet në objektiva tokësore.

Ai ka thënë se është “plotësisht i përgatitur” për të goditur objektiva në tokë, çka do të përfaqësonte një përshkallëzim të madh.

Ndërkohë, SHBA ka vendosur trupa, avionë dhe anije luftarake në Karaibe, përfshirë aeroplanmbajtësen më të madhe në botë – USS Gerald R. Ford.

Kjo ka shtuar frikën në Venezuelë se ndërtimi ushtarak amerikan synon destabilizimin dhe rrëzimin e qeverisë së Nicolás Maduro.