Në Gjirokastër dhe Shkodër janë zhvilluar orë informuese me nxënës të shkollave të mesme dhe 9-vjeçare, me qëllim ndërgjegjësimin për trafikimin e qenieve njerëzore, dhunën dhe bullizmin.
Në gjimnazin “Asim Zeneli” të Gjirokastrës, përfaqësues të Policisë vendore, së bashku me oficerët e sigurisë dhe psikologen e shkollës, diskutuan me nxënësit mbi rastet e mundshme të trafikimit të personave të rritur dhe të miturve, si dhe mënyrat e reagimit dhe denoncimit të rasteve të dyshuara.
Nxënësit u njohën me shenjat që mund të tregojnë raste trafikimi dhe me mënyrat se si mund të bashkëpunojnë me institucionet për të parandaluar këtë fenomen. Ata paraqitën gjithashtu punime me tema mbi trafikimin dhe masat parandaluese, duke shprehur interes për më shumë informacion.
Takime të ngjashme janë mbajtur edhe në disa shkolla të Shkodrës, si “Ruzhdi Daca”, “Seit Tagani”, “Agim Tafili”, “Pashko Vasa”, “Xheladin Fishta” dhe në shkollat jopublike “Cor Jesu” dhe Medreseja “Haxhi Sheh Shamia”.
Në këto takime u trajtuan tema që lidhen me dhunën, bullizmin, sigurinë në internet dhe pasojat e sjelljeve abuzive. Nxënësve iu shpërndanë materiale informuese dhe u shfaqën video ilustruese që tregojnë ndikimin e bullizmit dhe përdorimit të pasigurt të internetit.
Sipas organizatorëve, këto takime kanë për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit tek të rinjtë dhe do të vijojnë në javët e ardhshme në shkolla të tjera të vendit.
