
Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, shprehu kritika të forta ndaj draftit të ri të Kodit Penal gjatë raportimit në Komisionet Parlamentare, duke theksuar se nisma për ndryshimin e tij nuk është mbështetur në një analizë të thellë mbi mangësitë reale të kodit ekzistues.
Sipas Çelës, fakti që Kodi Penal është në fuqi që prej vitit 1995 dhe argumenti i përafrimit me legjislacionin e BE-së nuk janë arsye të mjaftueshme për hartimin e një drafti të ri. Ai nënvizoi se aktualisht prokuroritë dhe gjykatat nuk kanë hasur probleme serioze në zbatimin e dispozitave ekzistuese.
“Ende sot nuk kam një informacion analitik mbi problemet që ka Kodi Penal aktual. Ky kod ka funksionuar që nga viti 1995, është përmirësuar me kalimin e viteve dhe është zbatuar pa probleme serioze nga gjykatat dhe prokuroritë,” tha Çela.
Ai shtoi se procesi i hartimit të draftit të ri nuk është ndërtuar mbi një metodologji të qartë apo mbi nevojat reale të sistemit të drejtësisë.
“Dy janë argumentet që dëgjojmë: që kodi është i vjetër dhe që duhet përafruar me BE-në. Por ka kode shumë më të vjetra që funksionojnë shumë mirë. Integrimi është një proces që kërkon përmirësime, jo domosdoshmërisht një kod të ri,” theksoi ai.
Çela vuri në dukje se procesi i konsultimit publik ka qenë më shumë formal sesa thelbësor.
“Asnjë prokuror nuk mund të japë një opinion të vlefshëm për 900 nene brenda dy orësh. Ky është proces formal, jo i thelluar,” deklaroi ai.
Prokurori i Përgjithshëm gjithashtu ngriti shqetësime mbi zgjerimin e ndjeshëm të kodit të ri, duke theksuar se “nga 400 nene po kalojmë në një draft me mbi 900 nene. Me këto nene të reja, a do të thotë se deri tani kemi jetuar në paligjshmëri?”
Sipas Çelës, ndryshimet e propozuara tregojnë mungesë konceptimi dhe teknikë ligjore të papërshtatshme: “Kodet nuk bëhen thjesht për të rishkruar ligjet. Ato ndërtohen nga ekspertë, profesorë dhe praktikantë, duke reflektuar nevojat reale të shoqërisë dhe përvojat më të mira ndërkombëtare. Kjo kërkon kohë dhe kujdes, jo nxitim.”
Çela theksoi se mungesa e metodologjisë dhe e kapaciteteve të duhura e bën të pamundur një analizë të thelluar për përmirësimin e draftit aktual.