Vendosni fjalën kyçe....

“Kemi kandidatura shumë të mira”- Berisha: Manastirliu ka kryer krime kundër njerëzimit


Partia Demokratike ka mbledhur Kryesinë për të diskutuar mbi kandidatin që do të përzgjedhë për zgjedhjet e parakohshme të Bashkisë së Tiranës më 9 nëntor.

Në nisje të mbledhjes, kryedemokrati Sali Berisha tha se për Tiranën ishte ngritur një delegacion jo për të zgjedhur kandidatë, por për të eksploruar një model bashkëpunimi opozitar. 

Berisha theksoi se partia ka kandidatura të forta që kanë shfaqur publikisht interesin e tyre, si Adriana Kalaja, Klevis dhe Edi Paloka. 

 “Për Tiranën unë ngrita një delegacion për të eksploruar, jo kandidatët, por për të eksploruar modelin. A mund të gjenim një model ku të ishim të gjithë të bashkuar si opozitë. Shanset, nëse e mbështet gjithë opozita, të jenë më të mëdha.

Ne kemi kandidatura shumë të mira, kanë shfaqur dëshirën e tyre publikisht, Adriana Kalaja, Klevis, Edi Paloka. Kështu që përpjekja jonë për të arritur në një ujdi të gjerë me forca të tjera opozitare nuk ka asnjë lidhje me problemin e kandidatëve tanë të shkëlqyer, por ka lidhje me rekordin elektoral, tërësinë e votave si opozitë dhe kjo nuk mund të injorohet. Ka lidhje dhe me një moment të dytë.

Qindra mijëra militantë do donin të kishin kandidat ndonjë prej jush, por të tjerë do donin të kishte një kandidat jashtë nesh, me qëllimin jo negativ, por që të jemi sa më afër fitores, sa më të votueshëm.

Njerëz që mendojnë se dalja jashtë modelit strikt partiak, aplikimi i një modeli tjetër nga PD, është përfillje më e madhe për elektoratin dhe ka shanse më të mëdha.

Nuk janë bërë diskutime për kandidatura nga përfaqësuesit tanë, por për modelin që do të bashkonte më shumë spektrin opozitar në kandidaturën e Tiranës. Unë ju them që asnjë takim nuk është bërë për kandidaturat”.

Kryedemokrati sulmoi edhe kandidaten e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliun, të cilën e akuzon se ka kryer krime kundër njerëzimit kur ka mbajtur postin e ministres së Shëndetësisë.

“Ajo e di se janë 20 mijë shpirtra shumë prej të cilëve mund të ishin gjallë sot. I mori covidi për vjedhjen që bëri. Ajo e di që si nënë, grua, motër, jo që s’bëri asgjë për shëndetin e grave, por ka kryer krime kundër njerëzimit duke i privuar nga ilaçet jetike”.