Vendosni fjalën kyçe....

Trump do rishqyrtojë traktatin e raketave për të shitur dronë të rëndë luftarakë jashtë vendit


Presidenti Donald Trump pritet të rishqyrtojë në mënyrë të njëanshme një traktat 38-vjeçar të kontrollit të armëve, për të mundësuar shitjen jashtë vendit të dronëve të avancuar ushtarakë të tipit Reaper dhe mjeteve të tjera ajrore pa pilot, sipas një zyrtari amerikan dhe katër personave të njohur me planin.

Ky ndryshim do të hapë rrugën për shitjen e më shumë se 100 dronëve MQ-9 në Arabinë Saudite, të cilët mbretëria i kërkoi këtë pranverë dhe që mund të përfshihen në një marrëveshje armësh prej 142 miliardë dollarësh të shpallur në maj.

Gjithashtu, interes kanë shprehur edhe aleatë të SHBA-së në Paqësor dhe në Evropë.

Sipas planit, dronët do të kategorizohen si avionë, ngjashëm me F-16, e jo si sisteme raketore.

Kjo do t’i lejojë Shtetet e Bashkuara të anashkalojnë marrëveshjen e vitit 1987 të nënshkruar me 35 vende të tjera – Missile Technology Control Regime (MTCR) – dhe t’u shesin dronë vendeve si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe disa shtete të Evropës Lindore.

Politika e re do t’u hapë rrugë kompanive amerikane si General Atomics, Kratos dhe Anduril që prodhojnë dronë të mëdhenj, duke i përfshirë produktet e tyre në programin e Shitjeve Ushtarake të Huaja (Foreign Military Sales) të Departamentit të Shtetit, çka do të thjeshtojë procesin e eksportit.

Një zyrtar amerikan që foli për Reuters në kushte anonimiteti tha se ky është hapi i parë i një rishikimi “të madh” të programit të shitjeve ushtarake jashtë vendit. Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë.

Aktualisht, sipas MTCR, shitja e shumë dronëve ushtarakë është e kufizuar nga parimi i “refuzimit të fortë”, përveç rasteve kur ekziston një arsye e fuqishme sigurie dhe blerësi bie dakord t’i përdorë sipas ligjit ndërkombëtar.

Marrëveshja e vitit 1987 kishte për qëllim kufizimin e raketave me rreze të gjatë, të afta të mbartin armë të shkatërrimit në masë.

Dronët, megjithëse u shpikën më vonë, u përfshinë në traktat për shkak të aftësive të tyre për të fluturuar në distanca të gjata dhe për të mbajtur armë.

Prodhuesit amerikanë të dronëve po përballen me konkurrencë të ashpër ndërkombëtare, sidomos nga Izraeli, Kina dhe Turqia, të cilët shpesh shesin nën rregulla më të lehta.

Kina dhe Izraeli nuk janë palë në MTCR, gjë që u ka mundësuar të fitojnë kontrata në Lindjen e Mesme.

Turqia iu bashkua traktatit në vitin 1997, por dronët e saj Bayraktar TB2 nuk mbulohen nga të njëjtat kufizime, pasi janë më të lehtë dhe me rreze më të shkurtër.

Rusia ndërkohë ka përdorur dronë vendas dhe iranianë për të sulmuar Ukrainën. SHBA-ja nuk i ka shitur ose dhuruar dronë të mëdhenj Kievit, nga frika se teknologjitë e avancuara mund të bien në duar të gabuara.

Zyrtari amerikan tha se udhëzimet e reja do të lejojnë SHBA-në “të bëhet ofruesi kryesor i dronëve në botë, në vend që t’ia lërë këtë hapësirë Turqisë dhe Kinës”.

Ende nuk është caktuar një datë për zyrtarizimin e politikës së re. Ndryshimi po kohëzohet për të përfituar prodhuesit e një gjenerate të re dronësh me motorë reaktivë, të aftë të fluturojnë si “krahë ndihmës” krahas avionëve luftarakë – një treg i ri me potencial të madh.

Megjithatë, të gjitha shitjet e dronëve do të mbeten subjekt i rregullave të shitjeve ushtarake jashtë vendit, ku shqyrtohet dinamika rajonale e klientit, gjurmët në të drejtat e njeriut dhe aftësia për të siguruar sistemet e armëve.

Një nga shitjet e para të mëdha që mund të ndodhë pas këtij reinterpretimi është ajo me Arabinë Saudite.

Ish-presidenti Joe Biden kishte ndaluar shitje të tilla në vitin 2021, duke cituar përdorimin nga Riadi të pajisjeve amerikane në luftën kundër Houthive të mbështetur nga Irani në Jemen, e cila shkaktoi viktima të shumta civile. Por marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Arabisë Saudite janë ngrohur pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit në tetor 2023.

Shtëpia e Bardhë pritet ta paraqesë këtë lëvizje si pjesë të nismës më të gjerë të Trump për të krijuar vende pune dhe për të ulur deficitin tregtar amerikan.

Por aktivistët e të drejtave të njeriut dhe kontrollit të armëve paralajmërojnë se rrezikon të nxisë dhunë dhe destabilitet në rajone si Lindja e Mesme dhe Azia Jugore.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters