
Gjykata e Posaçme ka vendosur që inspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Tiranë, Gerald Fuçia, i arrestuar tre ditë më parë nga SPAK, të qëndrojë në burg. Arrestimi i tij u krye në kuadër të një hetimi për korrupsion lidhur me vendosjen e tendave, ku Fuçia akuzohet për marrje ryshfeti.
Zyrtarët e IMT u ndaluan në zonën e Kombinatit, brenda ambienteve të lokalit të ish-deputetit Mark Frroku, ku policia sekuestruar edhe një shumë parash të dyshuara si ryshfet nga një biznes që synonte vendosjen e një tende.
Gjyqtarja Etleva Deda pranoi kërkesën e prokurorit të SPAK, Sotir Kllapi, dhe caktoi ndaj Fuçias masën e sigurisë “arrest me burg”.
Në seancën me dyer të mbyllura, inspektori Fuçia mohoi çdo përfshirje në ngjarje, duke deklaruar:
“Nuk e njoh fare qytetarin, as e kam kontaktuar, as takuar, as nuk di gjë për ryshfetin. Deklaroj me përgjegjësi morale dhe ligjore se nuk kam lidhje me këtë histori. E ushtroj detyrën me seriozitet dhe profesionalizëm, si në dhjetëra raste të tjera të aksionit për lirimin e hapësirave publike”.
Avokatja e tij Xhoi Nela kërkoi një masë më të butë sigurie, deri në qartësimin e plotë të rrethanave. Ajo fajësoi inspektorin tjetër të IMT, Klajdi Zhilla i cili u shpall në kërkim, ndërsa mëngjesin e kësaj të shtune u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës, shkruan BW.
“Klajdi Zhilla është personi që ka mbajtur kontakt me personin e dëmtuar dhe ka shkuar edhe ka tërhequr shumën monetare.
Kjo shumë i është dhënë kamarierit të lokalit Cormeun për ta mbajtur aty nga vetë Klajdi Zhilla dhe policia ka sekuestruar këtë shumë që Klajdi Zhilla kishte marrë tek qytetari. është Klajdi Zhilla që ka patur kontaktet me qytetarin dhe është ai që ka tërhequr shumën tek banaku i lokalit që kapi Policia. Dhe pikërisht kjo shumë ka dalë nga buxheti i shtetit për efekt të këtij operacioni”, mësohet të jetë shprehur avokatja mbrojtëse e Gerald Fuçisë.