
Policia e Shkodrës ka zbuluar dhe asgjësuar rreth 2 mijë bimë të dyshuara cannabis sativa gjatë një operacioni të gjerë antikanabis, të koduar “Koordinata”, i cili po vijon me intensitet në disa zona të qarkut.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në njësitë administrative Gur i Zi, Postribë dhe Shllak, forcat e rendit gjetën dhe shkatërruan gjithsej 1987 bimë narkotike.
Në zonat e Gurit të Zi dhe Postribës u asgjësuan 186 bimë, ndërsa në Shllak u zbuluan dhe shkatërruan 1801 rrënjë kanabis.
Për këtë rast janë proceduar penalisht tre kryetarë fshatrash për veprën penale “Shpërdorim detyre”. Të proceduarit janë M. C., kryetar i fshatit Shpor; R. M., kryetar i fshatit Ura e Shtrenjt; dhe F. L., kryetar i fshatit Vilez.
Policia e Shkodrës ka deklaruar se kontrollet do të vijojnë në të gjitha zonat e qarkut për të identifikuar dhe asgjësuar çdo parcelë me bimë narkotike.