
Banka Qendrore e Rusisë ka ngritur padi kundër Bashkimit Europian për ngrirjen afatgjatë të aseteve sovrane ruse, një vendim që blloku e miratoi vitin e kaluar për të rritur presionin ndaj Moskës në kuadër të luftës në Ukrainë, përcjell Euronews.
Padia u depozitua më 27 shkurt në Gjykatën e Përgjithshme të BE-së në Luksemburg, por u bë publike të martën përmes një njoftimi të shkurtër.
Në total, asetet e ngrira kapin vlerën e rreth 210 miliardë eurove, nga të cilat 185 miliardë euro mbahen në Euroclear, një depozitues financiar me seli në Bruksel, i cili më herët është paditur gjithashtu nga Moska.
Pretendimet e palës ruse
Banka Qendrore e Rusisë pretendon se ngrirja afatgjatë e aseteve “shkel të drejtat themelore dhe të patjetërsueshme për akses në drejtësi, paprekshmërinë e pronës dhe parimin e imunitetit sovran të shteteve dhe bankave të tyre qendrore”, të garantuara sipas traktateve ndërkombëtare dhe ligjit të BE-së.
Sipas saj, vendimi bie ndesh me parimet e shtetit të së drejtës dhe me supremacinë e ligjit.
Rregullorja e kundërshtuar u miratua në dhjetor, pas negociatave intensive për të siguruar 90 miliardë euro ndihmë të re për Ukrainën. Ngrirja u mbështet në nenin 122 të Traktateve të BE-së, një dispozitë që kërkon shumicë të cilësuar dhe që është përdorur më parë gjatë krizës së COVID-19 dhe krizës energjetike.
Kushtet për lirimin e fondeve
Sipas vendimit të BE-së, fondet do të lirohen vetëm nëse Rusia plotëson tre kushte: ndalon agresionin ndaj Ukrainës, paguan reparacione dhe nuk përbën më rrezik serioz për ekonominë europiane.
Duke qenë se Moska ka përjashtuar kategorikisht pagesën e dëmshpërblimeve për Kievin, lirimi i fondeve konsiderohet i pamundur në kushtet aktuale.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi në dhjetor se vendimi përbën një sinjal të fortë ndaj Rusisë se kostoja e luftës do të vazhdojë të rritet për sa kohë agresioni vazhdon.
Banka Qendrore ruse argumenton gjithashtu se Brukseli ka kryer “shkelje serioze procedurale”, duke përdorur shumicën e cilësuar sipas nenit 122 në vend të unanimitetit, që zakonisht kërkohet për çështjet e politikës së jashtme. Edhe Hungaria kishte shprehur kundërshtime të ngjashme në dhjetor.
Komisioni Europian nuk ka reaguar ende ndaj padisë së re. Më herët, pasi Moska paditi Euroclear, ai e kishte cilësuar veprimin ligjor si “spekulativ” dhe të pabazë.
Rregullorja aktuale ndalon njohjen dhe ekzekutimin brenda BE-së të çdo kërkese të lidhur me ngrirjen e aseteve ruse.