Vendosni fjalën kyçe....

Ankandi për 101 mijë tonë naftë, shpallet fituesi, vlera e kontratës rreth 30 mln euro


Bashkimi i operatorëve “EUROPETROL DURRËS ALBANIA” sha dhe “BITEX REFINERY” sha janë fitues të ankandit të fundit të qeverisë për shitjen e rreth 101 mijë tonëve naftë. Ankandi i njoftuar nga Albpetrol në fillim të gushtit është mbyllur me një ofertë rreth 31 milionë euro bërë nga kompania fituese.

Në njoftimin e fituesit shpallur nga Albpetrol nuk jepet vlera totale e ofertës por bëhet me dije se kompanitë duhet të paguajnë sigurimin e kontratës në vlerën 311 milionë lekë që përbën 10 për qind të saj. Në rast të finalizimit të kësaj kontrata kompanitë do të duhet të tërheqin sasinë e karburantit brenda 12 muajsh.

“Rrjedhimisht, jeni të lutur të paraqisni pranë shoqërisë “Albpetrol” sha, me adresë: Rr. Fier – Patos km 7, sigurimin e kontratës në vlerën 311,234,827 (treqind e njëmbëdhjetë milion e dyqind e tridhjetë e katër mijë e tetëqind e njëzet e shtatë) lekë, në masën 10% të vlerës së përllogaritur të kontratës, siç parashikohet në dokumentet e ankandit, dhe të nënshkruani kontratën brenda 15 (pesëmbëdhjetë) ditëve nga dita e marrjes së këtij njoftimi. Në rast se nuk pajtoheni me këtë kërkesë, ose tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, do të konfiskohet sigurimi i ofertës suaj dhe ankandi do të anulohet, siç parashikohet në pikën 16/b, të Urdhrit nr. 83, datë 10.02.2012, “Për rregullat dhe procedurat e shitjes së produkteve hidrokarbure”, i ndryshuar” thuhet në njoftimin e Albpetrol.

Ankandi

Procesi i shitjes ndoqi formulën e miratuar, ku çmimi minimal për njësi është 77.45% i çmimit ndërkombëtar Brent + K, ndërsa në pikat e lëvrimit çmimi llogaritet 77.45% e çmimit Brent – 4.04 USD/bbl + K, duke mbuluar kostot e transportit dhe magazinimit. Diferenca “K” mbetet ofertë e lirë nga pjesëmarrësit dhe do të përcaktojë fituesin e ankandit.

Nafta që do të dalë në treg ndodhet në disa pika magazinimi të Albpetrol, përfshirë Usojë, Visokë, Gorisht, Zharrëz, Kuçovë dhe Amonicë, ndërsa afati i evadimit është 12 muaj nga nisja e procedurës.

Për herë të fundit, Albpetrol zhvilloi një ankand të ngjashëm vitin e kaluar, kur arriti të siguronte një ofertë të suksesshme për shitjen e 159 mijë tonëve naftë brut me vlerë rreth 70 milionë euro. Në atë ankand, oferta fituese u dha nga bashkimi i operatorëve “Europetrol Durrës Albania” dhe “R.B.H. Belinë” sha

Albpetrol prodhoi në vitin 2024 mbi 70 mijë tonë naftë, me një rritje modeste prej 1.8% në raport me vitin paraardhës./ N.Maho

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor