
Izraeli ka dhënë miratimin për hyrjen e ndihmave humanitare nga Maroku drejt Rripit të Gazës përmes një rruge tokësore, në kuadër të një marrëveshjeje të re humanitare ndërmjet dy vendeve, përcjell YNetNews.
Sipas planit të dakordësuar, ndihmat do të transportohen fillimisht me avion në aeroportin Ben Gurion në Tel Aviv dhe më pas do të kalojnë përmes pikës kufitare Kerem Shalom për t’u shpërndarë në Gaza. Të gjitha dërgesat do t’i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë nga autoritetet izraelite përpara hyrjes në territorin palestinez.
Ky zhvillim vjen në një moment kritik për Gazën, ku kriza humanitare është përshkallëzuar ndjeshëm për shkak të luftimeve të zgjatura, bllokadës dhe mungesës së furnizimeve bazë si ushqim, ujë, ilaçe dhe ndihma mjekësore.
Maroku, një nga vendet e para arabe që ndërmori një hap të tillë
Maroku është ndër vendet e para arabe që arrin një marrëveshje të tillë me Izraelin për të lejuar dërgesa të drejtpërdrejta të ndihmave përmes territorit izraelit drejt Gazës. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve u normalizuan në fund të vitit 2020 si pjesë e marrëveshjeve të ndërmjetësuara nga SHBA, të njohura si “Abraham Accords”.
Qeveria marokene e ka cilësuar dërgimin e ndihmave si një akt solidariteti me popullin palestinez, ndërsa thekson se ndihma do të jetë e orientuar drejt shërbimeve shëndetësore dhe mbështetjes për civilët që ndodhen në kushte ekstreme.