Vendosni fjalën kyçe....

Vatër e re zjarri në fshatin Dukat- Fushë, rrezikohen banesat – Nën kontroll flakët në Lukovë e Sasaj


Një vatër e re zjarri është raportuar në fshatin Dukat- Fushë në Vlorë gjatë pasdites së sotme. Të favorizuara nga era e fortë dhe temperaturat e larta, flakët po përparojnë drejt disa banesave në këtë fshat.

Zjarret në fshatrat e Himarës, Sasaj, Lukovë dhe Shën Vasil janë vendosur në kontroll pas ndërhyrjes nga ajri ditën e sotme. Aktualisht raportohet për 3 vatra aktive të vogla. Po kështu flakët në Kalasë të Delvinës janë vendosur nën kontroll.

Në fshatin Kuç të bashkisë Vorë, zjarri i ardhur nga zona e Shijakut u afrua në drejtim të banesave. Ndërhyrja e helikopterit të ushtrisë ndihmoi në izolim. Në Shëngjergj, në bashkinë e Tiranës, zjarri është përhapur në një sipërfaqe të gjerë kullotash dhe pyjesh. Po kështu në Ibë janë aktive tre vatra zjarri.

Në Parkun e Lurës, një prej vatrave është afruar fshatit Sinë, ndërsa në fshatin Zall Gjoçaj, në bashkinë Mat, zjarri ka marrë shtrirje mbi 14 kilometra. Zjarri vijon edhe në Parkun e Prespës por pa rrezik për zonat e banuara.

Ministria e Mbrojtjes publikon pamjet e marra me dronin Bayraktar i cili në këtë periudhë me zjarre thuajse në gjithë vendin, survejon dhe skanon territorin për vatra.  Nga pamjet e mara prej tij në disa zona të vendit, shfaqen helikopterët teksa mbushin ujë për shuarjen e flakëve.

Emergjencat Civile raportojnë se rreth 1 mijë forca, 4 helikopterë dhe një avion Canadair italian janë aktualisht në operacione.