Vendosni fjalën kyçe....

Sulm i armatosur në një gjykatë në Iran, të paktën 5 të vdekur dhe 20 të plagosur


Të paktën pesë persona humbën jetën dhe mbi 20 të tjerë u plagosën në një sulm të armatosur dhe me shpërthime në një gjykatë në qytetin Zahedan, në juglindje të Iranit, këtë të shtunë. Shifrat për viktimat variojnë nga 5 deri në 30, sipas burimeve të ndryshme, përfshirë mediat shtetërore iraniane, zyrtarët e regjimit dhe grupe disidente.

Sipas BBC Persian, ndër viktimat civile ishin edhe një nënë dhe foshnja e saj.

Sulmi ndodhi në provincën Sistan-Baluchestan, një zonë që prej vitesh përballet me tensione etnike dhe fetare. Shpërthime dhe të shtëna armësh janë raportuar nga brenda godinës së gjykatës, ndërsa sulmuesit dyshohet se hynë të maskuar si civilë që kërkonin shërbime gjyqësore.

Zëvendëskomandanti i policisë provinciale, Alireza Daliri, deklaroi se autorët e sulmit kanë hyrë në zyrat e gjyqtarëve, ku kanë ekzekutuar disa punonjës të sigurisë dhe staf gjyqësor, si dhe civilë të pranishëm.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë grupi sunit “Jaish al-Adl Baluch”, i cili në një deklaratë në Telegram paralajmëroi civilët të evakuojnë menjëherë zonën e përplasjes për shkak të rrezikut të lartë.

Autoritetet iraniane njoftuan se tre nga sulmuesit janë vrarë, megjithëse ende nuk është konfirmuar numri i saktë i pjesëmarrësve në atentat.

Ky është një ndër sulmet më të përgjakshme të ndodhura kohët e fundit në Iran ndaj institucioneve shtetërore dhe vjen në një periudhë të trazuar për regjimin iranian, me tensione në rritje në rajonin kufitar me Pakistanin dhe Afganistanin, ku janë aktive disa grupe të armatosura separatiste dhe ekstremiste.