Vendosni fjalën kyçe....

Pano Soko largohet nga Nisma Thurje: Turpërim i pamerituar për ata që na votuan


Pano Soko ka dhënë dorëheqjen nga çdo funksion dhe angazhim politik në lëvizjen “Nisma Thurje”, duke e cilësuar situatën e fundit në parti si një “pikë-thyerje politike” dhe “turpërim të pamerituar përballë qytetarëve që na votuan”.

Në një reagim të gjatë publik, ai thotë:

“Ngjarjet e fundit që ndodhën, ishin një turpërim i pamerituar në sytë e gjithë atyre që na votuan… Turpërim që do të jetë në kufijtë e të pamundurës për t’u rekuperuar.”

Ai shton se, pavarësisht përpjekjeve për të rikthyer racionalitetin mes palëve në konflikt, nuk arriti të ndalte degradimin që po ndodhte brenda lëvizjes:

“Tentova me çdo formë e mënyrë të sillja racionalitet në një mjedis tejet të ngarkuar emocional, fatkeqësisht nuk arrita dot.”

Soko kritikon ashpër mënyrën si u përfaqësua koalicioni në Kuvend, duke theksuar se mandati përfundoi te një person “që as e donte, as e kishte ambicie”:

“65 mijë votues sot përfaqësohen nga një person që as e njohin e as i njeh… Dhe kjo për mua është vijë e kuqe!”

Ai e konsideron këtë një dështim të thellë moral:

“Në optikën time kjo është pikë-thyerje politike. Pas kësaj, unë nuk i shoh dot më njerëzit në sy.”

Në përfundim, Soko thekson se do të vijojë të kontribuojë në jetën publike si qytetar aktiv, por jo më si pjesë e ndonjë strukture politike:

“Ka qenë dhe mbetet vokacion që do të vazhdoj ta përmbush. Por tashmë si qytetar aktiv.”