Vendosni fjalën kyçe....

Ambasadori amerikan viziton zëvëndëspresidentin palestinez


Ambasadori amerikan në Izrael, Mike Huckabee, u takua të martën në Ramallah me zëvendëspresidentin e Autoritetit Palestinez, Hussein al-Sheikh. Lajmin e konfirmoi vetë al-Sheikh në një postim në X (ish-Twitter).

Gjatë takimit, të dy zyrtarët diskutuan mbi përpjekjet për një armëpushim në Rripin e Gazës, lirimin e pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe dërgimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza. Ata gjithashtu folën për krizën ekonomike në Bregun Perëndimor dhe dhunën nga ana e kolonëve izraelitë, përcjell Jerusalem Post.

Al-Sheikh tha se biseda përfshiu edhe çështje të marrëdhënieve dypalëshe, si dhe rolin e rëndësishëm të SHBA në arritjen e stabilitetit dhe paqes në rajon.

Huckabee është zyrtari i parë republikan i nivelit të lartë që viziton Ramallah pas disa vitesh, ndryshe nga zyrtarë demokratë si Antony Blinken, i cili pati takuar al-Sheikh në shkurt 2024.