
Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar kanë rënë dakord të ulin çmimin tavan për eksportet detare të naftës ruse nga 60 në 47.60 dollarë për fuçi, në përpjekje për të kufizuar më tej të ardhurat që Kremlini përdor për të financuar luftën në Ukrainë.
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas, e cilësoi paketën e re të sanksioneve si “njërën nga më të fortat deri më sot ndaj Rusisë”, duke përfshirë kufizime ndaj eksporteve të teknologjisë, sektorit bankar dhe tubacioneve ruse të energjisë, përcjell Guardian.
Sipas marrëveshjes, çmimi tavan do të jetë gjithmonë 15% më i ulët se çmimi mesatar i tregut për naftën Urals, përzierja kryesore e eksportit të Rusisë. Vetëm në vitin 2024, shtetet anëtare të BE-së blenë naftë dhe gaz rus me vlerë mbi 21.9 miliardë euro.
Kufiri i ri i çmimit do të hyjë në fuqi më 3 shtator, çka do të ndalojë kompanitë e sigurimeve dhe transportit brenda BE-së dhe Mbretërisë së Bashkuar të marrin pjesë në shitje të naftës që tejkalojnë këtë çmim.
Ministrat e Çështjeve Evropiane e mirëpritën vendimin gjatë një takimi në Bruksel, pasi Sllovakia hoqi veton që mbante pezull paketën. Ky vend kishte kundërshtuar më parë shkëputjen graduale nga karburantet fosile ruse.
Mbretëria e Bashkuar njoftoi shpejt bashkimin me kufirin e ri. Ministrja britanike e Financave, Rachel Reeves, nga Afrika e Jugut ku po merr pjesë në një takim të G20-s, deklaroi: “Ky hap vendimtar do të godasë të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe do të rrisë presionin ndaj Putinit, duke shfrytëzuar pikën e tij më të dobët – ndërsa ruajmë stabilitetin e tregjeve të energjisë.”
Qeveria britanike theksoi se ka sanksionuar tashmë mbi 250 anije që transportonin energji ruse, ndërsa BE-ja ka vendosur gjithashtu ndalim investimesh në projektet e gazsjellësve Nord Stream 1 dhe 2 – përpjekje për të parandaluar ringjalljen e këtyre linjave nga Rusia.
Sanksionet e reja përfshijnë dhe masa ndaj të ashtuquajturës “flotë hije” të Rusisë – cisterna të vjetra dhe të mirëmbajtura dobët që përdoren për të shmangur ndalimet e Perëndimit, sidomos për tregtinë me Indi apo vende të tjera.
Në këtë kuadër, edhe 105 anije të tjera u ndaluan nga portet dhe shërbimet e BE-së, duke e çuar në 447 numrin total të mjeteve detare të sanksionuara.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, i mirëpriti masat e reja si “thelbësore dhe të përshtatshme në këtë moment, si përgjigje ndaj shtimit të brutalitetit të sulmeve ruse në qytetet dhe fshatrat tona.”
Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, i cilësoi sanksionet si “të paligjshme dhe të njëanshme”, duke shtuar se Rusia është tashmë e “përgatitur për të jetuar nën sanksione”.