Vendosni fjalën kyçe....

Manja kërkon hetim disiplinor për prokuroren Gjeli: Shpërfilli ligjin për ndërtimet pa leje në Theth


Vijon të thellohet përplasja institucionale mbi ndërtimet pa leje në Theth, ku Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të prokurores Elsa Gjeli për të mos ndjekur penalisht çështjen e ndërtimit të një parku turistik pa leje në këtë zonë të mbrojtur.

Ministri Manja njoftoi se ka kërkuar zyrtarisht nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurores Gjeli, duke e cilësuar vendimin e saj si një rast të qartë të shpërfilljes së ligjit.

Ai akuzoi prokuroren se ka marrë vendimin për të mos filluar procedimin penal pa kryer asnjë veprim hetimor paraprak dhe pa u bazuar në Kushtetutë dhe ligj.

“Si ministër drejtësie, bazuar në kompetencat që më jep ligji, kam kërkuar zyrtarisht dje nisjen e hetimit disiplinor për një rast flagrant të mos-ushtrimit të ndjekjes penale dhe hetimit që ka të bëjë me ndërtimin pa leje të një parku turistik në zemër të Thethit… Duke analizuar vendimin e mosfillimit, duke ballafaquar argumentet e dhëna në hetim me Kushtetutën dhe ligjin, ne mendojmë se ky vendim bie ndesh me parimin e ligjshmërisë,” – u shpreh Manja në reagimin e tij.

Manja theksoi se një vendimmarrje e tillë është në kundërshtim të hapur me frymën e Reformës në Drejtësi dhe me pritshmëritë e qytetarëve shqiptarë që i kanë dhënë mbështetje mazhorancës dhe institucioneve të reja të drejtësisë.

Ministri i Drejtësisë kërkoi gjithashtu që Prokuroria e Shkodrës të japë llogari për këtë çështje, duke nënvizuar se në një shtet të së drejtës askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin dhe që çdo rast i paligjshmërisë duhet të hetohet dhe ndëshkohet sipas ligjit.

Ky reagim vjen në një kohë kur në Theth janë shënuar tensione të forta për shkak të aksionit të IKMT-së për shembjen e ndërtimeve pa leje, i cili ka hasur në rezistencë të ashpër nga ndërtuesit dhe banorët, duke çuar edhe në incidente me përdorimin e molotovëve ndaj mjeteve të Inspektoratit.