
Një grevë e kontrollorëve të trafikut ajror ka shkaktuar kaos në aeroportet e Francës, duke sjellë anulimin e rreth 40% të fluturimeve vetëm në aeroportet e Parisit, në një nga ditët më të ngarkuara të sezonit veror.
Ndërprerjet nisën që të enjten dhe u përshkallëzuan të premten, duke prekur rëndë lëvizjen ajrore në të gjithë vendin. Autoriteti Kombëtar i Aviacionit Civil i kërkoi linjave ajrore që të anulojnë fluturime në aeroportet Charles de Gaulle, Orly dhe Beauvais që shërbejnë kryeqytetin francez, si dhe në qytete të tjera të mëdha si Nica, Marseja dhe Lioni.
Pavarësisht masave parandaluese, autoritetet paralajmëruan se vonesat dhe ndërprerjet do të vazhdojnë. Kompania Ryanair njoftoi anulimin e mbi 400 fluturimeve, duke prekur rreth 70 mijë pasagjerë.
Sipas saj, greva ka pasoja jo vetëm për fluturimet drejt dhe nga Franca, por edhe për ato që kalojnë në hapësirën ajrore franceze. Ryanair i bëri thirrje Bashkimit Evropian të ndërhyjë për të reformuar rregullat e trafikut ajror, me qëllim që veprime të tilla të mos ndikojnë miliona udhëtarë çdo vit./AP