
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi ashpër qeverinë gjatë një konference për shtyp të mbajtur të enjten, duke deklaruar se votimi i diasporës shqiptare u manipulua në mënyrë të paprecedent dhe u shtetëzua përmes akteve korruptive madhore.
Berisha u ndal te procesi i votimit të diasporës, të cilin e cilësoi si “krimin më të shëmtuar kushtetues elektoral” që, sipas tij, është kryer ndonjëherë në Shqipëri.
Ai pretendoi se përmes ndërhyrjes së shtetit dhe strukturave të tij në proces, është shkelur e drejta themelore e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit për të votuar lirshëm.
“Shtetëzimi dhe manipulimi i votës së shumicës së shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët kësaj here ishin 340 mijë votues të regjistruar, është një goditje e rëndë ndaj idealeve të lirisë dhe përpjekjeve të tyre për të qenë pjesë e vendimmarrjes së vendit të tyre,” deklaroi Berisha.
Ai theksoi se Shqipëria ishte vendi i fundit në Europë që i njohu të drejtën e votës diasporës dhe se, për ironi, ajo e drejtë tani është përdorur si mjet manipulimi nga, siç u shpreh ai, “narkodiktatura e Edi Ramës”.
Berisha publikoi gjithashtu video që sipas tij dëshmojnë qartë përfshirjen e shtetit në manipulimin e votave, përmes përdorimit të ambasadave, nënkontraktorëve dhe personave të lidhur me pushtetin.
“Ky është një akt hakmarrës primitiv dhe poshtërues ndaj çdo qytetari shqiptar, një akt që shndërroi votimin e diasporës në një instrument të shëmtuar të narkoshtetit,” tha ai.
Ai ftoi shqiptarët që jetojnë jashtë vendit të mobilizohen kundër kësaj që e quajti diktaturë dhe u bëri thirrje qytetarëve të përgatiten për një betejë pa kompromis për rikthimin e të drejtës së votës dhe për ndëshkimin e atyre që, sipas tij, kanë dhunuar këtë të drejtë.
Berisha përgëzoi gjithashtu demokratët në Selanik për dokumentimin e manipulimeve, duke theksuar se qendra të ndryshme, madje edhe të bixhozit, janë përdorur për të kontrolluar dhe ndikuar në votimin e diasporës.
“Urdhëroni, dengje me vota. Ky me krah votash shkon drejt konsullatës,” u shpreh Berisha, duke iu referuar pamjeve të publikuara nga selia blu.
Sipas tij, kjo është një nga ndërhyrjet më të mëdha dhe më të organizuara të një qeverie në një proces zgjedhor që nga rënia e diktaturës.