Vendosni fjalën kyçe....

BE sulmon Hungarinë vetëm pse ajo kërkon transparencë


Bashkimi Europian ka sulmuar Hungarinë duke i kërkuar të tërheqë një projektligj të debatueshëm që synon të kufizojë financimin e huaj për OJQ-të dhe organizatat mediatike, si pjesë e një fushate të re politike nga qeveria e Viktor Orbánit kundër “ndërhyrjeve të huaja”.

Projektligji i titulluar “Transparenca në jetën publike”, i paraqitur në parlamentin hungarez më 13 maj, është kritikuar ashpër nga organizatat e shoqërisë civile dhe mbrojtësit e medias, të cilët paralajmërojnë se ai i jep qeverisë fuqi të gjera për të shtypur zërat kritikë.

Nëse miratohet, ligji do t’i lejonte autoritetet të përpilojnë një listë të OJQ-ve dhe mediave që financohen nga jashtë, nëse konsiderohen si kërcënim për sovranitetin kombëtar, dhe të ngrijnë fondet e tyre.

Parashikohen gjithashtu gjoba të rënda në rast se financimi nga jashtë vazhdon.

Një zëdhënës i Komisionit tha për Euronews se ekzekutivi evropian po ndjek me shqetësim zhvillimet: “Komisioni është thellësisht i shqetësuar nga ky projektligj. Nëse miratohet në këtë formë, do të përbënte një shkelje të rëndë të parimeve dhe të së drejtës së BE-së. Prandaj, kërkojmë që ai të tërhiqet nga procesi legjislativ.”

Ai shtoi se “Komisioni nuk do të hezitojë të marrë masat e nevojshme nëse ky projektligj miratohet. Ne i japim rëndësi të madhe rolit të shoqërisë civile dhe jemi të përkushtuar të mbrojmë lirinë e shoqatave dhe të sigurojmë një mjedis të favorshëm për punën e tyre në gjithë BE-në, përfshirë aksesin në financim.”

Komisioni kujtoi gjithashtu se e ka çuar Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë së Bashkimit Evropian një vit më parë për shkak të krijimit të Zyrës për Sovranitetin dhe aktivitetet hetimore të saj, të cilat konsiderohen në kundërshtim me të drejtën evropiane.

Këtë javë, një grup prej 26 eurodeputetësh nga pesë grupe politike i dërgoi një letër Komisionit, ku kërkonin ngrirjen e menjëhershme të fondeve të BE-së për Hungarinë, për shkak të prapakthimit të shtetit ligjor nga qeveria e Orbánit.

Letra iu drejtua komisionerëve Piotr Serafin (buxheti) dhe Michael McGrath (demokracia dhe drejtësia).

Euronews kontaktoi qeverinë hungareze për koment, por nuk mori përgjigje.

 

Projektligji si pjesë e “pastrimit pranveror” të Orbánit

Projektligji për “Transparencën në jetën publike” është pjesë e fushatës së shpallur nga Viktor Orbán në mars, të quajtur “pastrimi pranveror”.

Partia në pushtet, Fidesz, akuzon aktorë të huaj si USAID dhe vetë Komisionin Evropian se ndërhyjnë në politikën hungareze përmes financimit të OJQ-ve dhe mediave.

Deputetët e Fidesz-it, Tamás Deutsch dhe Kinga Gál, deklaruan për mediat: “Në fund të fundit, ligji hungarez për transparencën nuk është vetëm një instrument juridik, por një deklaratë e qartë politike: Demokracia hungareze u përgjigjet vetëm qytetarëve hungarezë.”

Sipas qeverisë hungareze, në vitin 2022, miliona dollarë nga fondet e huaja janë përdorur nga opozita për të bërë fushatë kundër saj.

Ministri i Jashtëm hungarez, Péter Szijjártó, tha pas një debati në Parlamentin Evropian se qeveria nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ligji.

“Ata kanë të drejtë të shqetësohen, por për arsyen e gabuar,” tha ai. “Nuk duhet të shqetësohen për ligjin mbi transparencën, por për ndërhyrjet e huaja në politikën e një vendi të BE-së.”

 

Presioni nga eurodeputetët dhe shoqëria civile

Të shtunën e kaluar, dhjetëra mijëra qytetarë hungarezë protestuan në Budapest kundër projektligjit.

Të mërkurën, Parlamenti Evropian organizoi një debat për zhvillimet e fundit mbi sundimin e ligjit në Hungari. Shumë eurodeputetë kërkuan ndërhyrje nga Komisioni.

Raportuesja për Hungarinë në Parlamentin Evropian, Tineke Strik, deklaroi për Euronews se projektligji është “një kopje e ligjit rus për agjentët e huaj”, dhe se Gjykata Evropiane e Drejtësisë mund ta rrëzojë nëse miratohet.

“Komisioni nuk mund ta pezullojë vetë ligjin, por mund t’i drejtohet menjëherë Gjykatës dhe të kërkojë masa të përkohshme për ta ndaluar atë përkohësisht, duke qenë se ka tashmë një procedurë të hapur për ligjin e mëparshëm për mbrojtjen e sovranitetit,” tha Strik. “Komisioni mund të thotë: ‘Ka urgjencë dhe kërkoj masa të përkohshme për të shmangur dëme të parikuperueshme.’”

Një letër e përbashkët e firmosur nga 320 OJQ dhe 80 media i kërkon Komisionit Evropian të veprojë menjëherë.

Ato i bëjnë thirrje presidentes së Komisionit, Ursula von der Leyen, që:

të kërkojë masa të përkohshme nga Gjykata Evropiane në kuadër të procedurës së hapur për shkelje të së drejtës së BE-së; të bëjë thirrje publike për tërheqjen e projektligjit; të nisë një procedurë të re për shkelje nëse Hungaria nuk tërhiqet.

Ministrat e BE-së do të diskutojnë të martën në Këshillin e Çështjeve të Përgjithshme në Bruksel për mundësinë e përdorimit të nenit 7 të Traktatit të BE-së, i cili mund të çojë në sanksione kundër Hungarisë për shkelje të rënda të vlerave themelore të Bashkimit.