
Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, është përplasur me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, pas propozimit të Këshillit të Ministrave për ngritjen e një strukture të re për kontrollin e Prokurorisë së Posaçme.
Manja theksoi se prokuroria duhet të forcojë kontrollin përtej procesit të vettingut, ndërsa theksoi domosdoshmërinë e forcimit të mekanizmave të brendshëm të kontrollit.
“Si çdo vit, unë jam sot këtu para jush, në zbatim të nenit 103 të ligjit nr. 97, datë 10.08.2016, ‘Për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar, për të paraqitur rekomandimet prioritare të Këshillit të Ministrave për luftën kundër kriminalitetit për vitin 2025, të miratuara me vendimin nr. 231, datë 17.04.2025, të Këshillit të Ministrave. Ky është një akt institucional me karakter orientues, i cili mishëron përgjegjësinë kushtetuese të Këshillit të Ministrave për të garantuar sigurinë publike, në bashkëpunim me sistemin e drejtësisë penale dhe në veçanti me organin e akuzës, në respekt të plotë të pavarësisë së prokurorisë”, deklaroi Manja.
Ai shtoi më tej se integriteti, transparenca dhe përgjegjshmëria janë elementë kyç, dhe se “prokuroria duhet të forcojë kontrollin përtej procesit të vettingut, të trajtojë seriozisht çdo ankesë dhe të rrisë transparencën për qytetarët”.
Ministri kërkoi gjithashtu miratimin e standardeve të qarta për etikën dhe profesionalizmin, publikimin e praktikave të punës në përputhje me legjislacionin, si dhe garantimin e mbrojtjes së të dhënave personale dhe respektimin e sekretit hetimor.
Në këtë kuadër, ai theksoi se është e nevojshme ngritja e strukturave të specializuara për çështje komplekse, investimi në teknologji dhe burime njerëzore, si dhe zhvillimi i trajnimeve në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe partnerët ndërkombëtarë.
“Trajnimet për antikorrupsion, krimin e organizuar dhe krimet kibernetike duhet të jenë prioritet kombëtar. Për këtë shtyllë, një rol thelbësor do duhet të ketë edhe mbështetja e qeverisë në buxhet dhe burime njerëzore”, nënvizoi Manja.
Por përballë këtij qëndrimi, Altin Dumani, kreu i SPAK, reagoi duke thënë se krijimi i strukturave të reja të kontrollit do të sillte një mbingarkesë burokratike, duke qenë se SPAK është tashmë subjekt i mbikëqyrjes nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) dhe Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë (ILD).
“Një rekomandim që shikoj, megjithëse në vlerësimin e institucionit tonë nuk ka të bëjë me prioritetet dhe luftën kundër kriminalitetit, është ajo që ju e quani ‘nevoja për respektim të mekanizmave ekzistues të kontrollit’. Rekomandohet forcim i mekanizmave të brendshëm kontrollit”, tha Dumani.
Ai theksoi se pa një analizë të mekanizmave ekzistues, krijimi i strukturave të reja për vlerësimin dhe integritetin mund të sjellë mbingarkesë burokratike.
“Rekomandimet nuk shoqërohen me të dhëna statistikore, analizë krahasuese apo tregues konkret që justifikojnë nevojën për ndërhyrje. Kjo mungesë i bën rekomandimet të duken subjektive dhe të vështira për t’u matur, sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit, rezultateve dhe besueshmërisë publike”, theksoi Dumani.
Ai vuri në dukje gjithashtu se shumë nga termat e përdorur janë të përgjithshëm dhe pa përkufizime operative, gjë që mund të krijojë pasiguri në zbatim dhe interpretime të ndryshme nga institucionet përkatëse.
“Disa nga rekomandimet janë shumë të përgjithshme dhe nuk përcaktojnë objektiva të matshëm, institucione përgjegjëse apo burime konkrete, duke rrezikuar të mbeten jo të zbatueshme. E thashë për t’i paraprirë situatës, sepse në fund të çdo viti ne raportojmë edhe për përmbushjen e rekomandimeve të Këshillit të Ministrave”, përfundoi Dumani.