
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur gjatë natës në fshatin Mbrostar Ura, Fier, ku një 23-vjeçar ka plagosur me armë babanë e tij pas një konflikti në familje.
Policia njoftoi se menjëherë pas ngjarjes ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka arrestuar autorin, shtetasin J. Z., 23 vjeç. Ai dyshohet se plagosi në këmbë babanë e tij, 58-vjeçarin N. Z., me një armë të modifikuar si armë sportive.
Njoftimi i policisë:
Plagosi babanë e tij, me një armë të modifikuar, pas një konflikti në familje, kapet 23-vjeçari.
Sekuestrohet arma e modifikuar si armë sportive.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, rreth mesnatës, sapo janë njoftuar se një shtetas kishte plagosur babanë e tij, në banesën e tyre, në fshatin Mbrostar Ura, kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në vendngjarje, me qëllim kapjen e autorit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta policore u kap dhe u vu në pranga, shtetasi J. Z., 23 vjeç.
Ai dyshohet se pas një konflikti me babanë e tij, shtetasin N. Z., 58 vjeç, e ka plagosur atë, në këmbë, me një armë të modifikuar si armë sportive.
58-vjeçari është aktualisht në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.