Vendosni fjalën kyçe....

PS kërkon nisjen e menjëhershme të numërimit të votave nga Greqia



Partia Socialiste i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) të nisë menjëherë procesin e numërimit të votave të mbërritura me postë nga qytetarët shqiptarë që kanë votuar në Greqi. Kërkesa vjen pas vendimit të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), i cili rrëzoi pezullimin e mëparshëm të këtij procesi.

Sipas vendimit të KAS-it, akti i Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për pezullimin e numërimit nuk ka bazë ligjore, pasi ndryshimet në rregullat për votimin nga jashtë mund të bëhen vetëm nga Rregullatori i KQZ-së me shumicë të cilësuar. Ky organ kishte miratuar më herët procedurat për administrimin e votave nga jashtë vendit përmes vendimeve nr. 22, datë 20.03.2025 dhe nr. 33, datë 08.05.2025.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike i është drejtuar Komisionerit Ilirjan Celibashi, duke kërkuar transparencë në lidhje me rolin e kompanisë postare DHL në shpërndarjen dhe mbledhjen e zarfeve me vota në Greqi. PD kërkon të bëhet publike baza ligjore mbi të cilën ka vepruar kjo kompani gjatë gjithë procesit, si dhe garancitë për integritetin e votës së diasporës.

Çështja e administrimit të votave nga jashtë ka qenë një ndër më të debatueshmet gjatë këtyre zgjedhjeve, duke ngritur pikëpyetje mbi standardet e transparencës dhe zbatimin e rregullave elektorale.