Vendosni fjalën kyçe....

“Shfaqja e Ramës po merr fund, Xhorxh Sorosit iu shtyp koka pas fitores së Trump” – Berisha


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë një takimi me banorët e Klosit në Bashkinë e Matit, deklaroi se “shfaqja” e Edi Ramës para shqiptarëve po merr fund. Ai e krahasoi këtë me atë që ndodhi në SHBA, ku Donald Trump largoi miliarderin George Soros nga ndikimi në politikë dhe ekonomi.

Berisha theksoi se me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike, statusi i minatorëve do të marrë një zgjidhje përfundimtare. Ai premtoi se gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së tij, do të miratohet pa diskutim statusi i minatorëve.

“Ky është borxh ndaj minatorëve, ata kanë punuar dhe nxjerrë miliona ton minerale, por janë paguar në mënyrën më të pamerituar. Do t’i japim pensionin më të lartë në vend dhe rroga nuk do të jetë më e vogël se 1 milionë lekë”, tha ai.

Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë aktuale për menaxhim të keq të buxhetit dhe ndarjen e fondeve. Ai e krahasoi situatën në Shqipëri me atë të Malit të Zi, ku pensionet janë trefishuar, ndërsa Shqipëria ka lënë shumë pak për pensionistët.

“Në Shqipëri, ka vetëm 16 milionë euro për pensionistët, një ndarje cinike dhe të pashpirt. Ky është veprimi i një njeriu që ka humbur çdo ndjenjë njerëzore”, tha Berisha.

Kreu i PD-së gjithashtu e akuzoi Ramën për mburrje me luks, ndërkohë që ka qytetarë që vuajnë dhe punojnë në kushte të vështira.

“Politikani që mburret me luksin është politikani më i keq. Luksin dhe politikën nuk mund t’i pajtosh”, tha Berisha, duke shtuar se për çdo shqiptar që ka punuar dhe ka kontribuar, ka nevojë për një qeveri që do të kthejë paratë atyre dhe do t’u ofrojë mundësi të reja.

Ai gjithashtu theksoi se Rama ka humbur mbështetje dhe ka kryer krime të rënda antikushtetuese. “Edi Rama u mbështet nga George Soros dhe Anthony Blinken, por ai ka rënë në një gropë të thellë dhe do të ndiqet deri në fund të jetës së tij për krimet që ka bërë ndaj Shqipërisë dhe qytetarëve të saj”, theksoi Berisha.

Në fund, ai u shpreh se është i bindur se Partia Demokratike do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme dhe do t’i kthejë shqiptarëve mundësinë për një jetë më të mirë.

“Të shkojmë në zgjedhje me një fitore plebishitare dhe të rikthejmë paratë e qytetarëve. Ky është misioni ynë”, përfundoi Berisha.