Vendosni fjalën kyçe....

E djathta fiton raundin e parë në presidenciale, dorëhiqet kryeministri i majtë në Rumani


Kryeministri rumun Marcel Ciolacu dha dorëheqjen sot, një ditë pasi kandidati i tij humbi përballë kreut të opozitës së djathtë në raundin e parë të rivotimit presidencial.

Ciolacu tha se socialistët e tij të qendrës së majtë do tërhiqen nga koalicioni pro-perëndimor, duke i dhënë fund atij, ndërsa ministrat e kabinetit do qëndrojnë në një kapacitet të përkohshëm derisa të dalë një shumicë e re pas balotazhit presidencial, shkruan Reuters.

Euroskeptiku i së djathtës, George Simion, fitoi me vendosmëri votimin të dielën, me rreth 41% të votave dhe do përballet me kryebashkiakun e Bukureshtit, Nicusor Dan, një centrist i pavarur, në balotazhin e 18 majit. Kandidati i koalicionit Crin Antonesku doli i treti.

Megjithëse Socialdemokratët e majtë (PSD) të Ciolacu-t fituan më shumë vende në zgjedhjet parlamentare të 1 dhjetorit, AUR e Simion dhe dy grupime të tjera të djathta, fituan më shumë se një të tretën e vendeve për t’u bërë një forcë e qartë politike.

Socialdemokratët kishin formuar një qeveri koalicioni me liberalët e qendrës dhe UDMR-në e etnikëve hungarezë për të ndihmuar në mbajtjen e shtetit të Bashkimit Evropian dhe NATO-s në një kurs pro-perëndimor.

“Ky koalicion nuk është më legjitim,” u tha Ciolacu gazetarëve pas një takimi të partisë.

“Presidenti i ardhshëm do më zëvendësonte gjithsesi, kjo është ajo që kam lexuar”.