
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e ka hedhur poshtë si një akt teatral ndalimin e përkohshëm të armiqësive të shpallur nga Vladimir Putin për datat 8–10 maj, duke theksuar se është “e pamundur të zhvillohet një plan për hapat e ardhshëm për të përfunduar luftën” brenda disa ditësh, përcjell France 24.
Në një deklaratë të bërë të premten, Zelensky theksoi se Ukraina është e gatshme për një armëpushim të plotë dhe pa kushte, por refuzoi të marrë pjesë në “lojëra” që sipas tij synojnë të krijojnë një atmosferë të favorshme për Putin gjatë kremtimit të Ditës së Fitores në Moskë.
Nga ana tjetër, Moska ka akuzuar Zelensky për kërcënimin e sigurisë së ceremonive të 9 majit, duke e cilësuar deklaratën e tij si një “kërcënim të drejtpërdrejtë” ndaj sigurisë fizike të veteranëve që do të marrin pjesë në paradë.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për një armëpushim të qëndrueshëm vazhdojnë të hasin pengesa, ndërsa luftimet në Ukrainën lindore dhe jugore mbeten intensive.