Një sukses historik për sportin shqiptar është regjistruar në Lima të Perusë, ku peshëngritësja Enkileda Carja është shpallur kampione e trefishtë bote në Kampionatin Botëror të të Rinjve (U17), duke u bërë sportistja e parë shqiptare që fiton titullin kampion bote në këtë disiplinë.
17-vjeçarja nga klubi “Teuta” dominoi konkurrencën në kategorinë e saj duke rrëmbyer tri medalje ari dhe duke vendosur tri rekorde të reja europiane:
Shkëputje: 98 kg
Shtytje: 115 kg
Total: 213 kg
Përveç triumfit në kategorinë U17, Carja mori pjesë edhe në kategorinë U20, ku siguroi medaljen e bronztë në stilin e shkëputjes, duke konkurruar denjësisht me sportiste më të rritura në moshë.
Ky arritje vjen si rezultat i përkushtimit të jashtëzakonshëm të Enkiledës, punës së palodhur të trajneres Eglantina Kalemi dhe mbështetjes së vazhdueshme nga klubi “Teuta”, nën drejtimin e Kreshnik Lekës.
Me këtë fitore, Enkileda Carja jo vetëm ka shkruar emrin në historinë e sportit shqiptar, por është shndërruar në një simbol frymëzimi për të gjithë të rinjtë që ëndërrojnë suksesin përmes disiplinës, pasionit dhe sakrificës.