
Grupi militant palestinez Hamas dorëzoi tre pengje izraelitë të shtunën, pamja e dobët e të cilëve tronditi izraelitët, ndërsa Izraeli filloi të lirojë dhjetëra palestinezë në fazën e fundit të një armëpushimi që synon t’i japë fund luftës 15-mujore në Gaza.
Ohad Ben Ami dhe Eli Sharabi, të dy të marrë peng nga Kibbutz Be’eri gjatë sulmit ndërkufitar të udhëhequr nga Hamas më 7 tetor 2023, dhe Or Levy, të rrëmbyer atë ditë nga festivali i muzikës Nova, u ngjitën në një podium të Hamasit nga persona të armatosur.
Të tre burrat dukeshin të gjithë të dobët dhe të zbehtë dhe në gjendje më të keqe sesa 18 pengjet që ishin liruar më parë në bazë të armëpushimit të rënë dakord muajin e kaluar.
“Ai dukej si një skelet, ishte e tmerrshme të shihje”, tha vjehrra e Ohad Ben Amit, Michal Cohen, për Channel 13 Neës teksa shikonte ceremoninë e dorëzimit të drejtuar nga Hamas, e cila përfshinte pengjet që pyeteshin nga një burrë i maskuar ndërsa militantët e armatosur qëndronin në secilën anë.
Më pas pengjet u dërguan me makina të KNKK-së drejt forcave izraelite dhe në Izrael, ku u bashkuan mes buzëqeshjesh dhe lotësh me anëtarët e familjes dhe u dërguan në spitale.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se pamja e pengjeve të dobëta ishte tronditëse dhe do adresohej.
Presidenti i Izraelit Isaac Herzog e përshkroi ceremoninë e lirimit si cinike dhe të egër.
“Kështu duket një krim kundër njerëzimit,” tha ai.
Forumi i Familjeve të Pengjeve tha se pamjet e tre pengjeve ngjallnin përfytyrimet e të mbijetuarve të kampeve naziste të përqendrimit gjatë Holokaustit.
“Ne duhet t’i nxjerrim të gjitha pengjet nga ferri,” tha ai.
Në këmbim të lirimit të pengjeve, Izraeli po liron 183 të burgosur palestinezë, disa të dënuar për përfshirje në sulmet që vranë dhjetëra njerëz, si dhe 111 të arrestuar në Gaza gjatë luftës.
Turmat brohoritëse përshëndetën autobusët ndërsa mbërritën në Gaza, duke përqafuar të burgosurit e liruar ndërsa zbrisnin, disa prej tyre duke qarë nga gëzimi.
Në mesin e të liruarve në Ramallah, në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, ishte Eyad Abu Shkaidem, i dënuar me 18 burgime të përjetshme në Izrael për organizimin e sulmeve vetëvrasëse si hakmarrje për vrasjet e krerëve të Hamasit nga Izraeli në vitin 2004.
“Sot, unë kam rilindur,” u tha Shkaidem gazetarëve pas mbërritjes në Ramallah, ndërsa turma brohoriste.
Shërbimi mjekësor i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se gjashtë nga 42 të liruarit në Bregun Perëndimor ishin në gjendje të keqe shëndetësore dhe u dërguan në spitale. Disa të burgosur u ankuan për keqtrajtim.

Kthimi i dhimbshëm
Disa pengje përballen me një kthim të dhimbshëm. Dy vajzat adoleshente të Sharabit dhe gruaja e tij e lindur në Britani u vranë në sulmin e Hamasit në Kibbutz Be’eri, ku një në 10 banorë u vra. Levy do ribashkohet me djalin e tij tre-vjeçar pasi humbi gruan e tij në sulm.
Shkëmbimi është i fundit në një seri shkëmbimesh që deri më tani kanë kthyer 16 pengje izraelitë dhe pesë tajlandezë dhe kanë liruar 583 të burgosur dhe të paraburgosur palestinezë.
Faza e parë 42-ditore e armëpushimit të ndërmjetësuar nga Uashingtoni, Kajro dhe Doha, është ruajtur kryesisht që kur hyri në fuqi më 19 janar.
Por frika se marrëveshja mund të shembet para se të lirohen të 76 pengjet e mbetura janë rritur që nga thirrja e papritur e Presidentit të SHBA Donald Trump që palestinezët të zhvendoseshin nga Gaza dhe që enklava t’i dorëzohej Shteteve të Bashkuara dhe të zhvillohet duke u kthyer në “Rivierën e Lindjes së Mesme”.
Shtetet arabe dhe grupet palestineze kanë kundërshtuar propozimin e Trump, për të cilin kritikët thanë se do përbënte spastrim etnik. Hamasi tha të shtunën se shfaqja e armatosur në dorëzimin e pengjeve tregoi se organizata militate nuk mund të përjashtohet nga marrëveshjet e pasluftës në Gaza.
Netanyahu, megjithatë, përshëndeti ndërhyrjen e Trump dhe ministri i tij i Mbrojtjes urdhëroi ushtrinë të bënte plane për të lejuar palestinezët që dëshironin të largoheshin nga Gaza ta bënin këtë.
Sipas marrëveshjes së armëpushimit, 33 fëmijë, gra dhe të sëmurë, të plagosur dhe të moshuar izraelitë do lirohen gjatë fazës së parë në këmbim të gati 2,000 të burgosurve dhe të paraburgosurve palestinezë.
Negociatat për një fazë të dytë filluan këtë javë dhe ato synojnë kthimin e pengjeve të mbetura dhe marrëveshjen për tërheqjen e plotë të trupave izraelite nga Gaza në përgatitje për një fund përfundimtar të luftës.
Persona të armatosur të udhëhequr nga Hamasi sulmuan Izraelin më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke kapur më shumë se 250 si pengje, sipas të dhënave izraelite.
Si përgjigje, Izraeli nisi një luftë ajrore dhe tokësore në Gaza që ka vrarë më shumë se 47,000 palestinezë, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës, dhe ka shkatërruar pjesën më të madhe të enklavës.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters
Përgatiti për Hashtag.al, Klodian Manjani




