Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shkuar pasditen e sotme pranë banorëve të Unazës së Re duke iu bashkuar protestës së tyre kundër prishjes së banesave dhe projektit për ndërtimin e veprës.
Basha lajmëroi se ka nënshkruar me banorët një kontratë besimi e cila do të thotë se PD-ja angazhohet që brenda dy muajve nga marrja e qeverisjes do rishikojë projektin në përputhje me interesin publik.
“Brenda 2 muajve nga momenti kur Partia Demokratike e Shqipërisë dhe opozita e bashkuar do të jetë shumicë politike qeverisëse, do të rishikojë projektin e zgjerimit të Unazës së Re dhe devijimit të Lumit Lana, si dhe, në përputhje me interesin publik, do të ndërmarrë çdo masë që është e nevojshme për të siguruar zhvillimin e zonës sipas interesit të komunitetit dhe dëmshpërblimin, sipas çmimit të tregut, të çdo prone private që preket nga projekti i rishikuar” – thuhet në kontratën e firmosur nga kreu i opozitës Lulzim Basha dhe banorët e Unazës së re dhe Lumit të Lanës në pjesën ku ai do të devijohet.