Vendosni fjalën kyçe....

IDF përgatitet për qëndrim të gjatë në Liban: Hezbollahu po riorganizohet nën armëpushim


Ushtria izraelite (IDF) po përgatitet për mundësinë e një qëndrimi të zgjatur në jug të Libanit, ndërsa vlerëson se Hezbollahu po shfrytëzon armëpushimin për t’u riorganizuar dhe për të rimbushur arsenalin e tij me armë.

Zhvillimi vjen në një kohë kur zyrtarë amerikanë kanë bërë të ditur se brenda pak ditësh mund të nisë një plan pilot për tërheqjen graduale të forcave izraelite nga disa zona të Libanit.

Megjithatë, sipas burimeve të mbrojtjes izraelite, deri tani nuk është dhënë asnjë urdhër për tërheqje, përcjell Ynet.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, reagoi pas deklaratës së presidentit amerikan Donald Trump se Izraeli do të tërhiqej së shpejti nga jugu i Libanit.

“Ne nuk kërkuam leje nga askush për të hyrë në Liban dhe nuk kemi nevojë për leje për të qëndruar atje,” deklaroi Katz, duke lënë të kuptohet se Izraeli do të mbajë praninë ushtarake për aq kohë sa ta konsiderojë të nevojshme.

Ndërkohë, Forcat Ajrore izraelite kanë vijuar sulmet në jug të Libanit. Gjatë fundjavës u raportuan goditje me dronë në Tebnine dhe Majdal Zoun, ndërsa më pas u zhvillua një valë sulmesh edhe në fshatin al-Mansouri.

Mediat libaneze raportuan për viktima, ndërsa ushtria izraelite vazhdon operacionet përgjatë vijës së verdhë, duke kërkuar dhe shkatërruar infrastrukturën e dyshuar të Hezbollahut.

Sipas vlerësimit të ushtrisë izraelite, Hezbollahu po ndjek të njëjtën strategji si në konfliktet e mëparshme, duke përdorur periudhën e armëpushimit për të riorganizuar forcat, për të rifreskuar strukturat dhe për të furnizuar sërish depot e armëve. Për këtë arsye, Izraeli këmbëngul se do të ruajë lirinë e veprimit ushtarak për të goditur çdo kërcënim që konsiderohet i drejtpërdrejtë.

Javën e ardhshme pritet të zhvillohet në Romë një tjetër raund bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit, në kuadër të marrëveshjes së ndërmjetësuar nga SHBA. Sipas zyrtarëve izraelitë, objektivi mbetet krijimi i një zone sigurie brenda territorit libanez dhe çarmatimi i Hezbollahut, ndërsa ata shprehen skeptikë se ushtria libaneze do të jetë në gjendje ta realizojë e vetme këtë mision.