Vendosni fjalën kyçe....

Shehaj: Rama shpërdoroi 4.2 milionë euro për një koncert të dështuar, do ta mbushë me administratën



Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar pas vendimit të qeverisë për të përdorur 4.2 milionë euro nga fondi rezervë i shtetit për koncertin e Kanye West, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama për shpërdorim të parave publike.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, Shehaj tha se koncerti ka dështuar për shkak të bojkotit të qytetarëve, të nxitur nga protestat, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor fondet e taksapaguesve për të mbuluar mungesën e interesit.

Sipas tij, fondet publike do të përdoren për të blerë biletat e pashitura dhe për të mbushur stadiumin me punonjës të administratës dhe patronazhistë.

“Koncerti i Kanye West dështoi. Fituan protestuesit që i ftuan qytetarët shqiptarë të bojkotonin koncertin. Por Edi Rama çfarë bën? Nuk dëgjon protestuesit, por merr 4 milionë euro nga paratë e qytetarëve dhe i harxhon për të blerë biletat që nuk janë shitur të koncertit. Dhe do ta mbushë koncertin tani me patronazhistët dhe me administratën”, u shpreh Shehaj.

Në përfundim të reagimit të tij, kreu i Partisë Mundësia kërkoi dorëheqjen e kryeministrit, duke theksuar se, sipas tij, përdorimi i fondeve publike nuk do të ndalë protestat qytetare.

“Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe nuk mjaftojnë 4 milionë euro për të mposhtur qytetarët, për të mposhtur protestuesit”, deklaroi Shehaj.