
Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “Grupi”, duke goditur një grup kriminal me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dyshuar për aktivitet në fushën e krimeve kundër personit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.
Si rezultat i operacionit janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre dy shtetas të shpallur në kërkim kombëtar dhe një në kërkim ndërkombëtar. Ky i fundit rezulton i dënuar nga autoritetet italiane me 6 vjet e 8 muaj burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pjesëmarrja në organizatë kriminale”.
Sipas Policisë, operacioni u zhvillua në një lokal në fshatin Vranisht, ku u lokalizuan dhe u arrestuan anëtarët e grupit. Mes tyre ndodhej edhe personi i dyshuar si autor i plagosjes me armë zjarri të 26-vjeçarit F. L., ngjarje e ndodhur më 7 qershor në Vlorë.
Në pranga ranë shtetasit Florian Shala alias Florian Alliaj, Neritan Dalipaj alias Neritan Qejvanaj, Aleksandër Dula alias Aleksandër Thomai alias Ilir Dula, Miço Beqaraj, Turi Aligjoni dhe Dritan Çelaj.
Gjatë operacionit u sekuestruan katër armë zjarri pistoleta të markave “Glock”, “Sig Sauer” dhe “Canik”, municion luftarak, shtatë telefona celularë, 1.850 euro si dhe tre automjete, dy prej tyre me targa të huaja, ndërsa njëri i blinduar.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se një automjet tip BMW X5, i sekuestruar gjatë operacionit, dyshohet se është përdorur nga Turi Aligjoni për t’u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së ndodhur në Vlorë.
Policia bën me dije se grupi dyshohet për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje”, “Mbajtje pa leje e armëve dhe municionit”, “Përkrahje e autorit të krimit” dhe “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të aktivitetit kriminal të këtij grupi.