Vendosni fjalën kyçe....

Valë zjarresh në Portugali, aktivizohet ndihma europiane për përballimin e flakëve në Vouzela



Vala e të nxehtit që ka përfshirë Portugalinë ka sjellë edhe përhapjen e zjarreve në disa zona të vendit, ku zjarri në Vouzela mbetet më shqetësuesi për autoritetet dhe komunitetet lokale, përcjell Euronews.

Për shkak të përmasave të situatës, Portugalia ka aktivizuar Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile, duke kërkuar ndihmë ndërkombëtare për përballimin e flakëve.

Në terren janë angazhuar dy avionë zjarrfikës Canadair nga Italia, si dhe 118 zjarrfikës me 45 mjete nga Spanja. Gjithashtu, pritet mbërritja e mëtejshme e ndihmës nga Maroku në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe të mbrojtjes civile.

Sipas Autoritetit Kombëtar të Mbrojtjes Civile (ANEPC), në 24 orët e fundit janë raportuar nëntë persona të lënduar, dy prej tyre në gjendje të rëndë, ndërsa vendi është vendosur në gjendje gatishmërie të posaçme në territorin kontinental.

Zjarri në Vouzela, në distriktin e Viseut, ka djegur rreth 11 mijë hektarë sipërfaqe deri në orët e pasdites së së shtunës. Aktualisht mbi 1,200 zjarrfikës, të mbështetur nga qindra mjete dhe disa avionë, po punojnë për izolimin e flakëve.

Autoritetet portugeze kanë vendosur masa të posaçme sigurie, përfshirë ndalimin e hyrjes në pyje dhe kufizime në përdorimin e mjeteve bujqësore në zonat rurale, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 44°C në disa rajone.