Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi: SPAK po përdor standard të dyfishtë për Ballukun, të mos pritet arratisja e saj



Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të SPAK, Klodian Braho, lidhur me çështjen e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke e akuzuar Prokurorinë e Posaçme për standard të dyfishtë dhe vonesë në veprime.

Sipas Bardhit, SPAK duhet të zbatojë ligjin në mënyrë të njëjtë dhe të mos veprojë me standarde të ndryshme në kohë të ndryshme.

“Një prokuror i pavarur nuk bën politikë sipas interesave të momentit të Kryeministrit dhe nuk bëhet pjesë e makinacioneve dhe llogarive politike. Një prokuror i mirë zbaton ligjin. Ligji është i njëjti me atë të dhjetorit të kaluar, kur drejtuesi i SPAK deklaroi se ‘kur rëndohet pozita penale, duhet të rëndohet edhe masa e sigurimit’”, u shpreh Bardhi.

Në reagimin e tij, ai akuzon SPAK-un se po vendos politikën përpara ligjit në trajtimin e çështjes Balluku dhe kërkon shpjegime për mosveprimet e deritanishme.

“Më shumë se mungesa e masës së sigurimit, hetimin dhe drejtësinë e dëmtojnë standardet e dyfishta në sjelljen e Prokurorisë. Është e papranueshme që ligji të sjellë një reagim të Prokurorisë në dhjetor 2025 dhe një reagim tjetër të ndryshëm në qershor 2026”, deklaroi ai.

Bardhi ngriti një sërë pyetjesh publike drejtuar SPAK-ut, duke kërkuar sqarime për mungesën e kërkesës për masa më të ashpra sigurie ndaj Ballukut, si dhe për ndikime të mundshme politike.

Ai gjithashtu theksoi se, sipas tij, hetimi po dëmtohet nga vonesat dhe mungesa e veprimeve procedurale, duke kërkuar që SPAK të mos vonojë më tej vendimmarrjen.

“Shpresoj shumë që, në SPAK, të mos jenë duke pritur edhe arratisjen e Belindës dhe më pas të lajnë duart si Ponc Pilati”, u shpreh Bardhi.