Vendosni fjalën kyçe....

“Nxis dialogun që i shërben interesit kombëtar e publik” – Begaj


Presidenti Begaj ka bërë thirrje për dialog mes protestave që kanë përfshirë vendin prej 25 ditësh. Ai tha se e drejta e qytetarëve për të protestuar është e mbrojtur me Kushtetutë.

Kreu i shtetit e bëri deklaratën gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës.

Begaj tha se “si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit”.

“Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në  pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin  kombëtar dhe  atë publik. Korniza kushtetuese, së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit.” – tha Begaj.