Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, ka komentuar librin “Albanian Files” (“Dosjet Shqiptare”), duke e cilësuar atë si një dokument që, sipas saj, hedh dritë mbi mënyrën se si është zhvilluar territori në Shqipëri gjatë viteve të fundit.
Në një deklaratë për mediat, Zhupa tha se libri nuk është thjesht një katalog projektesh ndërtimi, por një pasqyrim i një modeli qeverisjeje ku, sipas saj, vendimmarrja mbi territorin është përqendruar dhe mungon transparenca publike.
“Jam para jush për librin e fshehtë për shqiptarët ‘Albanian Files’ ose ‘Dosjet Shqiptare’, i cili nuk është thjesht një katalog ndërtimesh, por është dëshmia më e qartë se si Edi Rama e ka trajtuar Shqipërinë për vite me radhë: si pronë private, si një ekspozitë personale dhe si një territor ku vendos vetëm ai”, u shpreh Zhupa.
Deputetja demokrate vlerësoi investigimin e publikuar nga Citizens.al dhe gazetari Lorin Kadiu, duke theksuar se materiali sjell të dhëna që, sipas saj, konfirmojnë denoncimet e bëra ndër vite nga opozita.
Sipas Zhupës, proceset e zhvillimit urban në vend janë karakterizuar nga mungesa e konkurseve publike, konsultimeve me qytetarët dhe transparencës mbi zhvilluesit e projekteve.
“Në Shqipëri nuk kemi të bëjmë me zhvillim normal urban, por me një model të ngritur mbi mungesën e transparencës, mbi privilegjet, mbi përjashtimin e qytetarëve nga vendimmarrja dhe mbi betonizimin e territorit”, deklaroi ajo.
Duke iu referuar të dhënave të paraqitura në libër, Zhupa tha se në 41% të projekteve nuk identifikohet porositësi apo zhvilluesi.
“Kjo mungesë transparence nuk është një detaj teknik. Është tregues i një kulture qeverisëse ku shqiptarët nuk konsiderohen pronarë të territorit, por spektatorë të vendimeve që merren mbi të”, tha deputetja.
Në deklaratën e saj, ajo përmendi edhe projekte në zona të ndryshme të vendit, si Narta, Zvërneci, Divjaka, Himara, Palasa, Gjipeja, Kune-Vaini, Saranda dhe Tirana, duke argumentuar se ato pasqyrojnë një model të zgjerimit të ndërtimeve në territore me rëndësi të veçantë natyrore dhe kulturore.
Zhupa ngriti shqetësime edhe për ligjin e investimeve strategjike dhe ndryshimet ligjore që, sipas saj, kanë ulur mbrojtjen e zonave të mbrojtura.
“Shqiptarët nuk janë kundër zhvillimit. Shqiptarët janë kundër zhvillimit pa rregulla. Janë kundër zhvillimit pa konsultim. Janë kundër zhvillimit që shkatërron trashëgiminë dhe betonizon bregdetin”, u shpreh ajo.
Në fund të deklaratës, deputetja e PD-së theksoi se Shqipëria nuk duhet të trajtohet si një projekt personal politik.
“Shqipëria nuk është ekspozita personale e Edi Ramës. Shqipëria është atdheu i shqiptarëve. Dhe askush nuk ka të drejtë ta projektojë, ta ndajë, ta betonizojë apo ta tjetërsojë pa pyetur qytetarët e saj”, përfundoi Zhupa.