Vendosni fjalën kyçe....

Aksident në aksin Lezhë–Mabë, humb jetën një shtetas nga Kosova, plagosen motra dhe djali i tij



Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në aksin Lezhë–Mabë, ku përplasja mes një kamioni dhe një automjeti ka shkaktuar humbjen e jetës së një personi dhe plagosjen e dy të tjerëve.

Sipas informacionit paraprak të Policisë, rreth orës 04:30, një automjet tip kamion, i drejtuar nga shtetasi A. M., është përplasur me një automjet që drejtohej nga shtetasi kosovar K. B.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, K. B., ka humbur jetën në vendngjarje. Ndërkohë, motra e tij, shtetasja F. B., dhe djali i tij, gjithashtu me inicialet F. B., janë transportuar me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore. Sipas autoriteteve, të dy ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Drejtuesi i kamionit, shtetasi A. M., është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Lezhë, ku po kryhen veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Në vendin e aksidentit ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për të përcaktuar shkaqet dhe dinamikën e plotë të përplasjes.