Vendosni fjalën kyçe....

Të shtëna në një bibliotekë në Kaliforni, dy persona humbin jetën; arrestohet autori 18-vjeçar


Dy persona kanë humbur jetën pas një sulmi me armë zjarri në një bibliotekë në veri të Kalifornisë, ndërsa policia ka arrestuar një të ri 18-vjeçar si autor të dyshuar të ngjarjes.

Sipas autoriteteve, të shtënat ndodhën mbrëmjen e së hënës në degën e Bibliotekës së Qarkut Butte në qytetin Chico. Policia u njoftua përmes një telefonate emergjente pak pas orës 17:00, ku dëgjoheshin të shtëna armësh dhe britma nga brenda godinës, përcjell AP.

Shefi i Policisë së Chico-s, Billy Aldridge, tha se sapo efektivët hynë në bibliotekë, autori u largua nga pjesa e pasme e ndërtesës, por u arrestua menjëherë nga forcat e rendit që kishin rrethuar zonën.

“Ngjarja e kësaj mbrëmjeje është padyshim shumë e trishtueshme dhe traumatike për shumë njerëz. Është shumë traumatike për komunitetin tonë,” deklaroi Aldridge.

Policia identifikoi të dyshuarin si Bradley Scott Sayer, 18 vjeç, banues në Chico. Ai është dërguar në burgun e Qarkut Butte dhe akuzohet për dy vepra penale të vrasjes.

Autoritetet bëjnë me dije se deri tani nuk ka asnjë indicie që autori të ketë pasur lidhje apo njohje me viktimat. Identitetet e tyre nuk janë bërë ende publike.

Gjatë incidentit, një fëmijë pësoi lëndime të lehta dhe u transportua në spital për ndihmë mjekësore.

Hetimet paraprake tregojnë se 18-vjeçari ka vepruar i vetëm. Në zbardhjen e plotë të ngjarjes po asistojnë edhe FBI-ja dhe Zyra e Sherifit të Qarkut Butte.

Pas sulmit, autoritetet vendosën mbylljen e përkohshme të të gjitha degëve të bibliotekave të qarkut, ndërsa administrata lokale shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe të gjithë të prekurit nga ngjarja tragjike.